E Diel, 1 Nëntor 2026

Uji çan rrugën në mes të qytetit, kaos në aksin kryesor

VLORË/ Rrjeti i ujësjellësit ka filluar të shtrohet rreth dy vjet më parë, ndërkohë që firma ka filluar provat

VORË - Çarja e asfaltit përgjatë bulevardit kryesor të qytetit të Vlorës ka shkaktuar panik, por edhe kaos gjatë orëve të paradites në qarkullimin e mjeteve.


Rruga është çarë në një pjesë të konsiderueshme të saj, ndërsa ngritja e menjëhershme e asfaltit dhe dalja e ujit nga nëntoka ka krijuar probleme. Mësohet se çjarja e asfaltit ka ndodhur si pasojë e presionit të ujit në tubat e rinj të ujësjellësit, edhe pse thellësia e tyre është rreth 1,8 metër.


Burime zyrtare bëjnë të ditur se kanë qenë provat e bëra nga ana e firmës që ka fituar projektin për shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit në Vlorë, ato kanë bërë që një pjesë e aksit rrugor të pësojë dëmtime të ndjeshme, madje duke rrezikuar edhe një nga automjetet që ka kaluar aty në ato momente.


Menjëherë pranë segmentit të dëmtuar kanë mbërritur drejtuesit e ndërmarrjes së shërbimeve publike, drejtuesit e ujësjellësit dhe përfaqësues të firmës që po kryen punimet. Drejtori i ndërmarrjes së shërbimeve publike, Hertel Shehu, pohoi se çarja e rrugës ka ardhur si pasojë e provave të ujësjellësit, që sipas tij është e zakonshme. Ka qenë presioni i ujit, saktësoi Shehu, që shkaktoi këtë çarje në rrugë.


Në deklarimin e tij për mediat, drejtori i ujësjellësit Vlorë, Viron Hysi, tha se kanë qenë provat që po bën firma e cila po kryen punimet e ujësjellësit, që shkaktuan një çarje të tillë të asfaltit, si pasojë e presionit të ujit. Gjithsesi, u shpreh Hysi, gjatë provave të tilla këto janë të pritshme, dhe është më pozitive që ndodhën që tani.


Ai bëri të ditur se janë edhe tre prova të tjera që do të zhvillohen nga firma që po shtrin rrjetin e ujësjellësit në Vlorë, ndërsa garantoi se do të ndërhyhet menjeherë për normalizimin e situatës, si dhe rehabilitimin e segmentit të dëmtuar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›