E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: LRI, faktor i fitores së zgjedhjeve vendore të 8 majit

Gjatë mbledhjes së Komitetit Drejtues të LRI-së, Meta u ndal në procesin e riorganizimit të LSI-së, por veçanërisht të LRI-së në kryeqytet, i  cili sipas tij, është modeli më i mirë për tu shpërndarë në të gjithë vendin.
    
Duke falënderuar përfaqësuesit, anëtarët dhe simpatizantët e këtij forumi për kontributin e dhënë, Meta deklaroi se LRI është një nga faktorët e fitores së zgjedhjeve të majit, falë kontributit të mijëra anëtarëve të saj.
    
"Tre anëtarë nga pesë të zgjedhur në këshillin e Bashkisë së Tiranës i takojnë LRI-së. Mendoj që kjo është në një raport shumë të drejtë me kontributin që kanë dhënë të gjithë për zgjedhjet e 8 majit, por në zgjedhjet e tjera ky përfaqësim do të jetë edhe më i madh", nënvizoi ai.

Sipas tij, organizimi i LSI-së dhe i forumit të saj rinor, është një moment reflektimi për të ecur më të vendosur dhe më të sigurt dhe për të arritur suksese të tjera.
    
"LSI-ja do të dalë akoma më e fuqishme dhe më solide për të përfaqësuar shpresat e të rinjve shqiptarë që kanë sfida të panumërta. 3 këshilltarët tanë në bashkinë e Tiranës do të japin modelin më të mirë sesi mund tu ofrohet një perspektivë më konkrete të rinjve shqiptarë, sidomos në drejtim të punësimit", theksoi Meta.
   
Gjithashtu, kreu i LSI-së e konsideroi të rëndësishëm forcimin e këtij forumi rinor që në thelb ka integrimin si filozofi.
   
"Forcim i LRI-së do të thotë forcim i LSI-së dhe kjo e fundit do të thotë fuqizim i stabilitetit politik në vend, përshpejtim i proceseve integruese dhe një politikë më europiane, e cila nuk ka në thelbin e saj konfliktin si një mënyrë për të mbijetuar politikisht, por që ka ndërtimin dhe integrimin si filozofi", deklaroi ai.

Në përfundim, kreu i LSI-së u shpreh i sigurte se në të ardhmen, LRI do të ketë një rol tepër përcaktues në të gjitha zhvillimet politike në vend dhe do të jetë organizata më e preferuar e gjithë të rinjve shqiptarë. /Start/

                                                                                             2011-08-04 12:59
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›