Berisha-Jiechi: Lehtësira për investuesit kinezë
Kryeministri Berisha, në takimin e zhvilluar me ministrin e Jashtëm të Kinës, Yang Jiechi, ka theksuar se investitorët kinezë janë të mirëpritur në Shqipëri dhe se qeveria shqiptare do të krijojë të gjitha lehtësitë e nevojshme, në mënyrë që ato të kthehen në histori të vërteta suksesi.
Duke vënë në dukje pozicionin e favorshëm gjeografik të Shqipërisë, kryeministri u shpreh i gatshëm të mbështesë krijimin e një zone të lirë për investimet kineze, si dhe inkurajoi investime në infrastrukturën portuale.
Kryeministri Berisha konstatoi me kënaqësi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve në të gjitha sferat, si dhe faktin se këto marrëdhënie njohin rritje dhe konsolidim nga viti në vit. Ai gjithashtu shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen ekonomike që Kina i ka dhënë Shqipërisë në rrugën e saj të zhvillimit.
Ministri Yang Jiechi shprehu gjithashtu, falënderimet për rolin e rëndësishëm që Shqipëria luajti në anëtarësimin e Republikës Popullore të Kinës në OKB, si dhe për politikën konstante të qeverisë shqiptare për njohjen e një Kine të vetme. Duke theksuar rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit politik, ekonomik, kulturor dhe në fusha të tjera me interes reciprok, ministri Yang Jiechi u shpreh se qeveria kineze synon jo vetëm që të forcohet më tej miqësia tradicionale midis dy popujve, por këto marrëdhënie të bazohen në një partneritet me interes reciprok.
Ai u shpreh se nisja e një turi vizitash në disa vende, me Shqipërinë, dëshmon rëndësinë që qeveria kineze i jep marrëdhënieve midis dy vendeve. Në këtë takim nga ana e tij, ministri i Jashtëm kinez vlerësoi progresin e vrullshëm që ka njohur Shqipëria, veçanërisht nën drejtimin e kryeministrit Berisha.
Ai nënvizoi se të dy vendet duhet të zhvillojnë me prioritet marrëdhëniet ekonomike dhe se qeveria kineze do të krijojë lehtësi për kompanitë dhe produktet shqiptare. Ai u shpreh gjithashtu, se do të inkurajojë kompanitë kineze me reputacion që të shfrytëzojnë potencialet që ofron ekonomia shqiptare. Në këtë kuadër, ministri Yang Jiechi u shpreh se zyrtarët midis dy vendeve duhet të studiojnë të gjitha projektet e zhvillimit dhe mundësitë për financimin e tyre, si dhe shprehu interes për krijimin e një zone të lirë për investimet kineze.
Në takim u fol edhe për situatën në rajon dhe zhvillimet në Kosovë.
Kryeministri i kërkoi ministrit të Jashtëm që në të ardhmen qeveria kineze të marrë në shqyrtim njohjen e pavarësisë së Kosovës si veprimi më i drejtë, në kuadër të stabilitetit dhe paqes në rajon.
Ministri Yang Jiechi u shpreh se qeveria kineze i ndjek me vëmendje zhvillimet në Kosovë dhe se Kina është për një zgjidhje të përshtatshme me dialog dhe në bazë të rezolutave të OKB-së. Ai gjithashtu mbështeti dialogun midis dy vendeve.