Vizat me Serbinë dhe Kodi Detar vënë në provë opozitën
Marrëveshja e shumëdebatuar para disa ditësh, ajo për heqjen e vizave mes Serbisë dhe Shqipërisë, rikthehet sot në komisionin e Sigurisë Kombëtare. Për të shmangur çdo incident të mundshëm që mund të shkaktojë mosvotimi i një marrëveshjeje mes dy vendeve tona, ka detyruar mazhorancën që ta fusë atë me nxitim sërish për votim në Komisionin e Sigurisë dhe për t’i hapur rrugë më pas dhe votimit në seancë plenare, pavarësisht rezervave të shprehura nga deputetët socialistë për kohën se kur paraqitej ajo për ratifikim. Ndërkohë që gjatë seancës së nesërme mazhoranca ka futur për diskutim dhe votim edhe dy nisma ligjore për ndryshimin e Kodit Detar, të cilat kërkojnë shumicë të cilësuar votash për t’u miratuar.
Marrëveshja me Serbinë
Pavarësisht kundërshtimit të fortë të opozitës për të mos e miratuar marrëveshjen e lëvizjes së ndërsjellë të shtetasve shqiptarë dhe serbë, mazhoranca e djathtë ka parë të arsyeshme të mos rrezikojë më tej marrëdhëniet me Serbinë. Ndaj ka vendosur që të thërrasë sot, në një ditë të pazakontë për veprimtarinë në komisione parlamentare, mbledhjen e komisionit të Sigurisë për të miratuar marrëveshjen e shtyrë disa ditë më parë me qeverinë serbe, me anë të së cilës synohet heqja e vizave mes dy vendeve tona. Fakti që kjo marrëveshje sillet për miratim në një ditë të premte dhe vetëm tri ditë pasi nuk arrit të miratohej për herë të parë, tregon rëndësinë që i ka kushtuar mazhoranca qeverisëse impaktit që mund të ketë ajo në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë. Por sërish kjo marrëveshje pritet të gjejë kontestimin e deputetëve të opozitës, të cilët janë shprehur publikisht se janë kundër miratimit të saj në këtë kohë, ndërsa bashkëkombësit tanë në veri të Kosovës janë në konflikt të hapur me shtetasit serbë. Por kësaj here miratimi i si saj nuk mund të vihet në dyshim, pasi mazhoranca qeverisëse ka marrë masat që të jenë të gjithë deputetët të pranishëm në mbledhje, për të mos humbur shumicën e nevojshme.
Kodi Detar
Ngjarja e rëndë e ndodhur dje në ujërat tona territoriale, ku humbën jetën disa persona prej përplasjes së një anijeje mallrash dhe një trageti pasagjerësh, ka bërë që shumica qeverisëse të fusë në mënyrë krejt të beftë për miratim në komisionin e Sigurisë edhe dy nismat ligjore që tentojnë të ndryshojnë Kodin Detar. Kështu, rendi i ditës i bërë publik dje nga Kuvendi për mbledhjen e komisionit të Sigurisë parashikon miratimin e dy projektligjeve që bëjnë disa amendime në Kodin Detar, pavarësisht se në fazën finale, pra atë të miratimit në seancë plenare, ato kërkojnë 3/5 e votave. Futja e këtyre dy nismave në rend të ditës, duket se ka gjetur të papërgatitur deputetët e opozitës, të cilët të kontaktuar dje nga gazeta kanë bërë të ditur se “thirrja e një mbledhjeje me një rend dite të tillë tregon edhe një herë se Jozefina nuk respekton rregulloren, por fut në votime projektligje në minutën e fundit”.