Kriza, Topi: Duhet komunikim njerëzor
Presidenti Bamir Topi flet një ditë pas debatit të ashpër në distancë mes Kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Në përfundim të vizitës në selinë e komunitetit mysliman, me rastin e festës së Kurban Bajramit, kreu i shtetit ka bërë thirrje për më shumë komunikim njerëzor. “Sot është një ditë e veçantë, që nuk duhet ngatërruar me tema politike. Nuk duhet të ngatërrojmë këtë ditë me tema politike, pasi jemi intoksikuar me tema politike. Jeta nuk është vetëm politike. Duhet të flasim për ekonomi, mirëqenie, kulturë dhe komunikim njerëzor. Nuk ndërtohet e ardhmja pa komunikim mes njëri-tjetrit”, u shpreh kreu i shtetit. Deklarata e Presidentit vjen në një moment kur maxhoranca dhe opozita janë më të ndara se asnjëherë tjetër. Të enjten nga foltorja e Kuvendit, kreu i qeverisë, Sali Berisha akuzoi ashpër Edi Ramën, i cili sipas tij po mban jashtë Parlamentit për interesat e tij personale, Partinë Socialiste. Kryeministri i përmendi kreut të opozitës edhe jetën e tij familjare. Për zgjedhjet e 28 qershorit, Berisha tha se Rama donte të bojkotonte procesin, çka detyroi atë të bënte lëshime për çdo nen të Kodit Zgjedhor. Nga ana tjetër, lideri i PS-së reagoi përmes një konference për shtyp duke e konsideruar Kryeministrin si një njeri pa ekuilibër mendor. “Vendosa të reagoj sonte sepse dua të ndaj me të gjithë ju shqetësimin për ekuilibrin mendor të njeriut që ka në dorë Qeverinë e Shqipërisë në këto orë të vështira për vendin, për demokracinë, për shtetin e së drejtës, për ekonominë shqiptare. Vendi është në udhëkryq. Demokracia është në rrezik. Shteti i së drejtës ka rënë. Ekonomia shqiptare po falimenton”, theksoi Rama. Për Ramën sulmet e Kryeministrit ndaj familjes vijnë si rezultat i dështimit të qeverisjes dhe të përfshirjes në afera të familjarëve të tij.