Meta: Marrëveshja me Ramën sillte krizë, kjo me Berishën prodhon stabilitetNga Tema“Duke marrë në konsideratë rezultatet e zgjedhjeve të 28 qershorit; duke marrë në konsideratë krizën ekonomike që po kalon vendi; duke vlerësuar rëndësinë e stabilitet
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Meta: Marrëveshja me Ramën sillte krizë, kjo me Berishën prodhon stabilitetNga Tema“Duke marrë në konsideratë rezultatet e zgjedhjeve të 28 qershorit; duke marrë në konsideratë krizën ekonomike që po kalon vendi; duke vlerësuar rëndësinë e stabilitetit politik, institucional dhe qeverisës; duke vlerësuar domosdoshmërinë e një qeverisjeje më eficiente dhe përfaqësuese; pasi jam konsultuar edhe me aktorë të rëndësishëm vendas dhe ndërkombëtarë, që kërkojnë forcimin e stabilitetit në vend dhe përshpejtimin e reformave, me përgjegjësi historike dhe atdhetare; e pranoj ftesën e kryetarit të koalicionit fitues, z. Berisha, për të filluar negociatat paraprake dhe për të realizuar me transparencë të plotë programin e qeverisë së integrimit evropian.”
Z. Meta, jo më larg se dy javë më parë, ju jeni shprehur se nuk do të bëni koalicion me z. Berisha. Si mendoni sot që ju i thoni po ofertës së z. Berisha?
E shikoni që nuk jam i lumtur për këtë deklaratë dhe për këtë qëndrim, ashtu sikurse unë kam bërë të gjitha përpjekjet për të larguar nga qeverisja z. Berisha, sikurse kam bërë të gjitha përpjekjet për të realizuar bashkëpunimin e këputur midis PS dhe LSI për shkak të bashkëpunimit të vendosur mes Ramës dhe Berishës, që nga ndryshimet kushtetuese, te Kodi Zgjedhor, si dhe ndryshime të tjera. Gjithashtu, përpjekjet e mia, si publike dhe konfidenciale, kanë qenë të pandërprera për të realizuar dhe një koalicion të vetëm me PS. Janë kërkuar takime, por atje ka munguar kryetari i PS, njëkohësisht dua t’ju them para zgjedhjeve i kam dërguar kryetarit të PS, sekretarin e LSI dhe kryetarin e Këshillit Bashkiak, Sokol Dervishaj, ku i kam kërkuar një koalicion të vetëm, si opozitë, për të mos humbur asnjë votë, por me kushtin që ne të kishim një nga komisionarët e PS, që sipas Kodit ne s’mund të kishim vëzhgues. Ka pasur edhe kërkesa të tjera, sikurse ka qenë edhe kërkesa më e fundit për z. Rama, i cili ka qenë i ftuar për të parandaluar cenimin e standardeve që ndodhi më 28 qershor, jo vetëm për shkak të mazhorancës, por edhe për shkak të sjelljes së lidershipit të PS ndaj votave të LSI.
Atëherë, më thoni ju se çfarë rruge mund të ndjekë pas gjithë këtyre përpjekjeve të pandërprera që unë kam bërë për më shumë se 1 vit për të parandaluar këtë që ndodhi, se ç’mund të bëjë sot LSI pas 28 qershorit, me rezultatet paraprake, të cilat nuk kanë shumë rëndësi, nëse janë një deputet më shumë apo më pak? Të kontribuojë për të zhytur vendin më tej në krizë dhe në mosqeverisje apo të kontribuojë si një faktor stabilizues i qeverisë dhe garantues në maksimumin e mundshëm për një qeveri që do t’i shërbejë interesave shumë më të gjera sesa koalicioni fitues?
Kjo është zgjedhja më e vështirë që më duhet të bëj si politikan dhe si lider. Në gati 2 dekada kam qenë shumë i qeshur, kur kam ikur nga detyra e kryeministrit për të ndihmuar zgjidhjen e krizave të asaj kohe që nuk ishin për shkakun tim. Kam qenë shumë i qetë, kur jam larguar nga qeveria nga detyrat e zv/kryeministrit dhe të ministrit të Jashtëm, jam i vendosur, sepse ky është një vendim që i intereson vendit dhe Shqipërisë.
Nuk ka rrugë tjetër, sepse unë do të isha i gatshëm të qëndroja në opozitë, por me këtë sakatim që ka ardhur nga Kodi dhe nga shumë veprime të tjera, a mundet të qëndrojë LSI e vetme në një opozitë ndaj një mazhorance PD-PS apo Berisha-Rama dhe a do të ishte efektive për vendin dhe për kontrollin e qeverisë një opozitë me 4 deputetë, pavarësisht se një nga këta deputetë del me 20 mijë vota, ashtu sikurse edhe në 2005, ndërsa të tjerët kanë një deputet me 400 vota? Asgjë nuk ndryshon tek Ilir Meta dhe te LSI. Unë do të jem socialist, por, para se të jem socialist, jam shqiptar dhe kam përgjegjësi në këto momente për të marrë përgjegjësitë për të ardhmen.
Marrëveshja Rama-Meta është e pamundur dhe prodhon vetëm krizë, asgjë tjetër. Unë s’mund të kontribuoj për të gjitha arsyet që përmenda në deklaratën time dhe që janë të konsultuara shumë mirë. Marrëveshja dhe bashkëpunimi Rama-Berisha u provua dhe Meta ishte i vetmi në opozitë bashkë me faktorë të tjerë të shoqërisë civile dhe u provua që nuk solli stabilitet, por krizë, solli ndryshimet në Kushtetutë, solli ndryshime me gjyqësorin, solli Kodin, i cili ka pjellë këtë rezultat skandaloz për të majtën, sepse e majta është në shumicë. Atëherë jemi të detyruar të ecim drejt një marrëveshjeje që t’i shërbejë Shqipërisë, shqiptarëve dhe që i shërben integrimit evropian të vendit. Shqipëria ka paraqitur një kërkesë për anëtarësim dhe ne do të bëjmë çdo gjë që ky proces të ecë përpara dhe të mos mbetet pezull.
Z. Meta, çfarë postesh keni negociuar deri tani me z. Berisha?
Nuk ka asnjë diskutim për histori karrigesh, dhe ndarje përgjegjësish në planin e funksionimit të këtij koalicioni të mundshëm, të cilit unë i thashë një Po në parim, si të vetmen rrugë për stabilitetin e vendit. Çdo gjë do të jetë mjaft transparente, në radhë të parë për sa i takon programit, thelbi i të cilit, emblema e të cilit është integrimi evropian i Shqipërisë, dhe pa asnjë diskutim tashmë çdo gjë do të jetë transparente dhe në funksion të stabilitetit të vendit.
Z. Meta, a ka ndonjë kusht që i keni vënë z. Berisha?
Nuk jemi këtu për të paraqitur kushte apo për të zhvilluar negociata, sepse negociatat nuk zhvillohen këtu. Çdo gjë do të vendoset në vijim. Kushti i vetëm është që kryetari i koalicionit fitues, z. Berisha, t’i përmbahet atyre angazhimeve të shprehura deri më sot, pikërisht që ky koalicion t’i shërbejë integrimit evropian të Shqipërisë. Këtu besoj se ju kuptoni që përfshin një sërë reformash të domosdoshme, të munguara, të cilat kërkojnë një ritëm tjetër, të cilat kërkojnë një energji tjetër.
Z. Meta, meqenëse jemi tek integrimi, a mendoni se LSI si pjesë e këtij koalicioni do t’i sigurojë shqiptarët të lëvizin pa viza brenda këtij viti?
Unë jam i bindur se programi i kësaj mazhorance të re, edhe të djathtë, edhe të majtë, do të garantojë gjithë ato prioritete që kanë të bëjnë me integrimin evropian të Shqipërisë, dhe pa asnjë diskutim me afatin më të shpejtë të liberalizimit të vizave për të gjithë shqiptarët.
Ndërsa për të majtën, mendoj që vetë ky rezultat, pavarësisht nga të gjitha arsyet përse jemi te ky rezultat, ka dy rrugë, një rrugë përmes LSI, për të kontribuar në qeverisjen e vendit, që të jetë një qeverisje në shërbim të interesave të vendit dhe gjithë shqiptarëve. Dhe natyrisht një rrugë tjetër, ajo e një opozite sa më aktive, sa më të fuqishme, që unë uroj ta zhvillojë Partia Socialiste, ku dhe ne do të bashkëpunojmë me të dhe në këtë plan, sepse pa dyshim të gjitha reformat kërkojnë bashkëpunimin e opozitës.
Z. Meta, a mund të jetë një nga kushtet tuaja dhe ndryshimi i sistemit zgjedhor?
Marrëveshja do të jetë transparente, dhe çdo gjë do të diskutohet. Unë dëgjova një ftesë publike, dhe pa asnjë diskutim që dhashë një përgjigje publike. Në ditët e ardhshme për çdo hap që do të merret ju do të jeni shumë të informuar. Marrëveshja Berisha-Meta do të jetë shumë transparente, nuk do të jetë si marrëveshja e natës së 21 prillit.