E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Meta u bë paterica e kryeministrit të rrëzuar dhe e qeverisë së GërdecitNga Tema"Një gjë është e sigurt: kjo është një ditëlindje që unë nuk do ta harroj asnjëherë. Kjo nuk është fjala ime e fundit për procesin zgjedhor, por vetëm reagimi im

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Rama: Meta u bë paterica e kryeministrit të rrëzuar dhe e qeverisë së GërdecitNga Tema

"Një gjë është e sigurt: kjo është një ditëlindje që unë nuk do ta harroj asnjëherë.

Kjo nuk është fjala ime e fundit për procesin zgjedhor, por vetëm reagimi im për qeverinë që lindi sot nga grahma më e fundit e politikës së vjetër të politikanëve në Shqipëri.

Ndërkohë që përpjekja për numërimin e çdo vote opozitare vazhdon, dhe jo vetëm Fieri, po mbarë populli opozitar i Shqipërisë ndjek orë pas ore, prej 6 ditësh dhe netësh zhvillimet e një beteje sy më sy të opozitës, me shpurat e ministrave dhe krimineleve të liruar nga burgjet e Sali Berishës, Ilir Meta nxitoi të bëhej paterica e kryeministrit të rrëzuar, duke e ngritur në këmbë atë që ai vetë e quante deri para 6 ditësh, qeveria e Gërdecit.

Ndërkohë që populli opozitar pret, jo vetëm përfundimin e odisesë së votave në Fier, por edhe leximin e hapur të votave në Berat, Tiranë dhe gjetkë, 83 mijë zemra opozitare, që më 28 qershor rrahën për largimin e kësaj qeverie dhe këtij kryeministri, u trafikuan sot nga Ilir Meta për të mbyllur sot me Sali Berishën pazarin më të turpshëm të këtyre 18 viteve.

Ndërkohë që deri dje ne kishim shumë arsye të dyshonim në ndershmërinë e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe në vërtetësinë e rezultateve të nxjerra prej tyre, pas ngutjes së sotme të Ilir Metës, pa dalë ende rezultati përfundimtar i vetë KQZ së Sali Berishës, për të shpëtuar Sali Berishën me një pazar që Lufter Xhuveli nuk do të guxonte ta shihte as në ëndrrën e tij më të bukur, ne jemi më të bindur se kurrë, se pa u zbardhur e vërteta e kutive të 28 qershorit, ndërgjegjja demokratike e gjithë Shqipërisë nuk do të gjejë kurrë qetësi dhe Partia Socialiste nuk do të ndalet përpara asgjëje.

E kuptoj emocionalitetin tuaj dhe të qindra-mijëra qytetarëve e qytetareve që më 28 qershor votuan për Partinë Socialiste, votuan për aleatët tanë, votuan për vetë partinë e Ilir Metës, me dëshirën dhe domosdoshmërinë e brendshme për t’i dhënë fund qeverisë së Sali Berishës dhe keq-qeverisë së Sali Berishës.

***

Unë jam i vendosur që ta udhëheq Partinë Socialiste deri kur procesi zgjedhor t’i vihet pika. Pastaj, unë kam sigurinë dhe bindjen e plotë se kjo është një familje politike, e cila di të marrë vendimet e duhura në kohën e duhur dhe pa pikën e dyshimit është një familje politike që pas pazarit të sotëm, më i neveritshmi pazar i këtyre 18 vjetëve, është më e madhe.

Sot, familja jonë politike është më e madhe dhe asnjë nga të gjithë ata qytetarë e qytetare, që më 28 qershor votuan për Ilir Metën për të larguar Sali Berishën, nuk duhet të ndihen të vetëm, sepse nga sot është pjesë e familjes tonë politike. Që nga sot ka të gjitha arsyet për t’u ndier më e madhe, për t’u ndier më e vendosur, për t’u ndier më e fortë. Beteja jonë është një betejë mes dy botësh, mes botës së re që meritojnë qytetarët, njerëzit e zakonshëm të këtij vendit pavarësisht se për kë votojnë dhe botës së vjetër, të mekanizmave që prej 18 vjetësh i ka ndarë dhe përçarë shqiptarët në të majtë dhe të djathtë dhe ka bërë me ta një lojë që e luajnë vetëm grushti i njerëzve që sot i dhanë jetë kësaj qeverie mostër dhe e paguajnë që të gjithë qytetarët. Kur flas për qeverinë mostër, kam parasysh një trup të krijuar në bazë të një mutacioni që është transformimi i një virusi në një tjetër virus më të rrezikshëm se i pari.

Pra, kapërcimi nga Lufter Xhuveli tek Ilir Meta dhe nga qeveria e Sali Berishës me Lufter Xhuvelen, te qeveria e Sali Berishës me Ilir Metën, që është një arsye për t’u pikëlluar të gjithë ata që e besuan deri në fund projektin në dukje radikal të Ilir Metës kundër Sali Berishës, por njëkohësisht është edhe një arsye më shumë, që sot të gjithë të kuptojnë se projekti ynë nuk ishte një projekt përjashtues, por ishte një projekt që synonte përballjen me të kundërtën e vet, që sot është përballë nesh në formën e një qeverie të krijuar jo nga vullneti i njerëzve, por nga pazari mes atyre që janë mësuar t’ju thonë njerëzve tjetër gjë, të bëjnë tjetër gjë dhe të mendojnë tjetër gjë.

***

Do të kemi të gjithë kohën e nevojshme për të diskutuar me qetësi lidhur me çfarë ka të bëj me këtë proces, por ju them me bindje të plotë, se ky sistem nuk përmban në vetvete një problem për Partinë Socialiste dhe nuk është sistemi që ka krijuar problemin që ne hasim sot, por është deformimi i vullnetit të popullit përmes mekanizmash të cilat ne duhet me qetësi, vendosmëri e këmbëngulje, t’i bëjmë të dukshme për të gjithë publikun.

***

Sa besoni në jetëgjatësinë e kësaj qeverie dhe a mendoni se fshihen persona të tjerë pas këtij bashkëpunimi?

Kjo është një gjë që tashmë e sheh gjithë Shqipëria. Sigurisht, nuk është një diçka, për të cilën unë ndihem mirë që atë që unë shihja qartësisht kohë më parë, sot e shohin që të gjithë, sepse i njoh shumë prej atyre që janë edhe në nivelet më të larta të partisë së Ilir Metës dhe sot janë po aq të pikëlluar si gjithë të tjerët, siç jam i bindur se po kaq të bindur janë të gjithë ata socialistë e socialiste, që sot ndihen jo vetëm të tradhtuar, por edhe të poshtëruar, kur dëgjojnë njeriun që i besuan votën e tyre, sepse ishte udhëheqësi radikal që do të përmbyste qeverinë e Gërdecit nëpërmjet rrugës, që të thotë jam pranë Sali Berishës, por mbetem socialist. Kjo është një kurajë që edhe i ndjeri politikisht Lufter Xhuveli nuk e pati, sepse tha, unë në qendër jam, e kthej kokën andej nga vjen pushteti.

Kurse Iliri thotë jam me Sali Berishën, por mbetem socialist, madje, e bëra këtë aleancë me Sali Berishën, që Shqipëria të shpëtonte nga aleanca e Sali Berishës me Edi Ramën. Është një pamje e rëndë, e shëmtuar, trishtuese, tallëse për një popull të tërë, por është pamja që na jep të gjitha arsyet për t’i thënë vetes se jo, Shqipëria nuk mund të jetë atdheu i maskarenjve. Shqipëria duhet të jetë atdheu i qytetarëve dhe qytetareve, qofshin socialist, qofshin demokrat, përtej të majtës dhe së djathtës, sigurisht.

Ja tek i keni ata që deri dje që e konsideronin mëkat të flitej përtej së majtës dhe së djathtës, por përtej së majtës dhe së djathtës është Shqipëria e shqiptarëve dhe shqiptareve që vuajnë për shkak se prej 18 vjetësh u flitet në emër të së majtës dhe së djathtës, për t’i përçarë majtas e djathtas, për t’i ndarë në pjesë e parcela, për t’u marrë votat dhe pastaj për të bërë këtë që u bë sot.

E vetmja gjë për të cilën duhet të jemi të shqetësuar, është se kjo lojë po bëhet gjithmonë e më e sofistikuar. Është një lojë ku lidhen drejtpërdrejt interesat për të kontrolluar pasurinë e këtij vendi, për të kontrolluar të gjitha ato të ardhura që në vend se të ndahen në mënyrë të drejtë dhe të ndershme përmes një politike të re për shqiptarët e shqiptaret, duhet të ndahet në ato duar që kanë aftësinë ose e thënë shqip paturpësinë që votat e popullit t’i kthej në karta krediti për pazarin e një politike të vjetër, ku interesat rriten çdo ditë në mënyrë marramendëse.

Kjo është arsyeja pse unë besoj se këtu nuk bëhet fjalë për një garë elektorale mes një partie dhe një partie tjetër, mes një force dhe një force tjetër. Këtu bëhet fjala për një moment që vazhdon të mbetet pezull, momenti kur Shqipëria ka nevojë për një ndryshim historik, sepse në të kundërt do të na duhej të pajtohemi me idenë se do të gjendemi në një demokraci tërësisht të kontrolluar, me një sistem marrëveshjes dhe interesash, ku loja politike është përfundimisht thjesht një lojë, ndërkohë që pas kuintave gjithçka është e mirërregulluar mes kundërshtarësh që janë të tillë kur janë në lojë dhe partnerësh prapa kuintash.

***

Është naivitet të vazhdojmë të diskutojmë lidhur me atë çfarë ka ndodhur, për shkak të partisë socialiste. Jo. Ka ndodhur për shkak të një oreksi të pakontrollueshëm për pushtet dhe për kontroll mbi kanale interesash të drejtpërdrejta financiare. Por gjithsesi, ne vazhdojmë në përpjekjen tonë për të përfunduar numërimin në Fier, për të vazhduar me të gjitha ato pjesë që ne duam t’i bëjmë të ditura për publikun përmes leximit transparent të vullnetit të popullit dhe sigurisht kur procesi zgjedhor ta konsiderojmë të përfunduar, edhe pse ne jemi të vendosur që të hetojmë gjithsesi mbi këtë proces, do të kemi mundësi të bëjmë një shtjellim të thellë të gjithçkaje dhe atëherë të gjithë sigurisht do të dëgjojnë fjalën time të fundit lidhur me gjithë këtë periudhë.

Një gjë është e sigurt, kush mendon se sot më ka dobësuar, duhet ta dijë se më ka bërë më të fortë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›