E Diel, 1 Nëntor 2026

Bosh: “Nuk është zgjidhur kriza, komisioni i njëanshëm është i padobishëm”



Pasi ka kryer urimin në Kryegjyshatë me rastin e Festës së Nevruzit, përfaqësuesi i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, deklaroi dje se komisioni parlamentar për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit është i njëanshëm dhe, si i tillë, është i padobishëm. Sipas Bosh, kriza politike në Shqipëri vazhdon ende dhe për ta kapërcyer duhet vullneti dhe kompromisi i të dyja kampeve të politikës. “Komisioni i njëanshëm është i padobishëm. Komisioni duhet me miratimin e të dyja palëve”, - është shprehur Bosh. Sipas tij, përfaqësia e OSBE-së në Shqipëri shprehet e zhgënjyer për mosarritjet e një marrëveshjeje në seancat maratonë të Kuvendit në datat 18-19 mars. Në këto kushte, Bosh bën apel për gjetjen e kompromisit nga palët. “Kemi dëgjuar vetëm deklarata nga palët. Jam jashtëzakonisht i zhgënjyer nga seancat e Parlamentit. U dhanë vetëm qëndrime të palëve”, - tha Bosh, duke nënkuptuar se askush nuk ofroi zgjidhje konkrete të çështjes së hetimit të zgjedhjeve. Më tej Bosh shton se ky ishte rezultati më negativ që ndërkombëtarët mund të prisnin. “Aspak pozitive ajo që ndodhi në seancë”, - është shprehur ambasadori i OSBE-së në Tiranë. Reagimi i ambasadorit Bosh vjen në kuadër të zgjidhjes së ngërçit që prej muajsh ka përfshirë politikën shqiptare. Kuvendi, mbrëmjen e 19 marsit, miratoi, pa prezencën e opozitës, ngritjen e një komisioni hetimor për hetimin zgjedhjeve. Komisioni u kërkua realisht nga PS-ja, e cila, kërkesë themelore kishte hapjen e kutive, kërkesë kjo që u rrëzua poshtë që në Komisionin e Ligjeve, ku u diskutuan propozimet e PS-së. Pas kësaj Rama deklaroi se vendi do të përfshihet në protesta për largimin e qeverisë, pasi nuk u mor parasysh kërkesa legjitime për hapjen e kutive. Ndërkohë, maxhoranca i ka bërë thirrje PS-së që të marrë pjesë në komisionin hetimor për të hetuar zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.

23 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›