Meta: Mbështesim njohjet e reja të Kosovës

Zv.Ministrja e Jashtme e Kosovës Vlora çitaku ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë. Gjatë kësaj vizite ajo zhvilloi një takim me ministrin e jashtëm të Shqipërisë Ilir Meta.
"Zhvillimet në Kosovë e rajon, ecuria e procesit të njohjes së Kosovës, ndihma dhe mbështetja për konsolidimin e institucioneve të saj, proceset integruese europiane e euroatlantike dhe marrëdhëniet dypalëshe ishin temat kryesore që u trajtuan në takim", tha zyra e shtypit në Ministrinë e Jashtme.
Sipas saj, në lidhje me me procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës, Zoti Meta, i rikonfirmoi Znj. çitaku përkushtimin e plotë e të vazhdueshëm të qeverisë dhe diplomacisë shqiptare, për avancimin e mëtejshëm të procesit të njohjes së Kosovës.
Për sa u përket zhvillimeve më të fundit në Kosovë, Ministri i Jashtëm Meta, tha se Shqipëria përshëndet dhe mbështet deklaratën e Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, pas takimit në Vjenë, më 8 shkurt 2010, dhe e konsideron atë një mbështetje të fuqishme për perspektivën evropiane të saj si dhe, një rikonfirmim të përkushtimit për respektimin e plotë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, kusht vendimtar për stabilitetin rajonal e më gjërë.
"Shqipëria bashkohet me vlerësimin se Republika e Kosovës, shteti më i ri i kontinentit europian që më 17 shkurt 2010 shënon përvjetorin e dytë, gjithashtu, ka bërë progres të madh në drejtim të konsolidimit të institucioneve demokratike dhe shtetit ligjor.
Kosova e pavarur tashmë është njohur dhe ka fituar respektin e merituar nga 65 shtete dhe vende të tjera po shqyrtojnë dhe konsiderojnë njohjen e saj. Ky realitet ka krijuar një klimë të re më të shëndetshme në fushën e sigurisë, të ekonomisë, të marrëdhënieve ndëretnike etj, jo vetëm brenda vendit në Kosovë, por në krejt rajonin tonë dhe më gjerë", tha zv.kryeministri shqiptar Ilir Meta.
Duke ndarë të njëjtin qëndrim për rëndësinë e integrimit të të gjitha komuniteteve, sidomos atij të komunitetit serb të Kosovës në shoqërinë kosovare për të siguruar të ardhme të qëndrueshme dhe për të forcuar demokracinë në Kosovë, Meta nënvizoi se Shqipëria, mbështet plotësisht domosdoshmërinë e përforcimit të përpjekjeve për veriun e Kosovës, të cilat do të zhvillohen më tutje në përputhje më Kushtetutën dhe me pëlqimin e autoriteteve të saj.
Shefi i diplomacisë shqiptare shprehu gatishmërinë për të bërë të gjitha përpjekjet e duhura për të siguruar pjesëmarrjen e Kosovës në të gjitha forumet dhe projektet e bashkëpunimit rajonal.