Zyrtarët e KE: Zbatimi i ligjeve, kusht për vizat

Përfaqësuesit e Komisionit Europian zhvilluan sot një takim me Ministrin shqiptar të Drejtësisë Bujar Nishani në të cilin theksuan se zbatimi i kuadrit ligjor është një detyrim kyç në rrugën e Shqipërisë drejt liberalizimit të vizave.
Zyra e shtypit bën me dije se Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, priti sot në një takim pune Z.Luigi Soreca, Znj.Maria Fidelgo dhe Z. Tomas Volhode, përfaqësues të Komisionit Europian.
Në takim u diskutua mbi realizimet dhe sfidat përpara në kuadër të detyrimeve që Shqipëria ka në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave.
Në një deklaratë për media, përfaqësuesi i KE, Z.Soreça citohet të ketë përgëzuar Ministrinë e Drejtësisë dhe Qeverinë Shqiptare për progresin e shpejtë të arritur në hartimin e akteve ligjore dhe marrëveshjeve të bashkëpunimit, detyra këto të lëna nga misioni i parë i ekspertëve në Mars 2009.
"Ai theksoi se tashmë sfida që shfaqet përpara Shqipërisë në procesin e liberalizimit të vizave është zbatimi me efektivitet i akteve të miratuara, si dhe vënia në dispozicion e burimeve njerëzore dhe financiare për këtë qëllim", thuhet në deklaratë.
Sipas saj, në prezantimin e tij, Ministri njohu pjesëmarrësit me hapat e ndërmarrë nga Ministria e Drejtësisë në kuadër të hartimit të strategjisë së reformës në drejtësi, hartimin dhe miratimin e një pakete ligjesh për funksionimin e sistemit të drejtësisë në vend si dhe një kuadër marrëveshjesh bilaterale si ajo me Mbretërinë e Belgjikës dhe Marrëveshja e bashkëpunimit me Eurojust.
Ministri i Drejtësisë Nishani prezantoi të rejat që sjell zbatimi i ligjit Antimafia si dhe ai i Bashkëpunimit Ndërgjyqësor Ndërkombëtar si në aspekt të fuqizimit të luftës kundër krimit të organizuar ashtu dhe në drejtim të përmirësimit dhe qartësimit të roleve dhe procedurave të aktorëve të përfshirë në këtë proces.