E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një esé e mrekullueshme provokative

Nuk do të guxoja të shkruaja për romanin e Ben Blushit, nëse do të ishte roman. Nuk do të përfshihesha në marketingun e stimuluar përmes debateve rreth tij, nëse do të ishte vërtet vetëm produkt për treg. Nuk do të thosha as ndonjë gjë kritike për të, pasi do të ma merrnin për ters, ngaqë nuk jemi miq. Por, në të vërtetë, libri “Të jetosh në ishull” i Ben Blushit është një esé e mrekullueshme provokative rreth temës së islamizimit të Shqipërisë që ia vlen të lexohet. Ia vlen të lexohet për gjuhën e përdorur në esé, për debatin e nivelit të lartë të provokuar nga autori, duke përjetësuar veten në disa personazhe dhe mbi të gjitha ia vlen të lexohet dhe për të hedhur poshtë idenë e një romani antimysliman apo pro ortodoks, siç dhe vetë autori ka qejf ta promovojë.

Për aq sa unë kam konsumuar letërsi, ky kurrsesi nuk është një roman. Nuk është një roman, pasi aty thuajse të gjithë personazhet, pa asnjë përjashtim, nuk kanë identitet dhe nuk janë të vizatuara si karaktere që të na çojnë në kohën kur Shqipëria po mëdyshej nën peshën e dilemave të konvertimit të dhunshëm. Ibrahimi, personazhi që të fut në spiralen e mëdyshjeve të mëdha historike, banori i një fshati të Shqipërisë juglindore, dy shekuj e ca më parë, flet për debatin rreth islamit dhe krishtërimit si një gazetar i “New York Times” sot. Ja një monolog i tij: “Kjo fe vjen si një ushtri që ka ndërtuar perandorinë më të madhe të botës në Stamboll dhe forca e saj është vetëm në fillimet e veta. Në qoftë se nuk e pranon, duhet të luftosh dhe, në qoftë se vendos të luftosh, mund dhe të humbësh e nëse humb, ke vdekur…” Kultura me të cilën ai mvishet, stërhollimet e tij akademiko-intelektuale dhe qasja e tij ndaj zhvillimeve të asaj kohe, jo vetëm që nuk i përkasin një fshatari thuajse injorant, por nuk i përkasin as nivelit të ndonjë pedagogu të sotëm në Tiranë. Arianit Komneni, i cili rrëfen historinë e tij dhe familjes së tij, flet sikur të ishte kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, kurse Ali Tepelena vizatohet siç nuk ka qenë kurrë nga dhjetëra portrete letrare dhe historike që i janë bërë. Secili nga personazhet përfshi dhe atë më të dashurin për t’u urryer nga Ben Blushi, i quajtur Sali Benishi, është jashtë çdo konteksti kohor, krahinor dhe historik. Retorika e Sali Benishit i ngjan retorikës së Sali Berishës në mitingje, por jo e një myslimani voskopojar. Më lejoni të citoj “…Ne nuk kemi folur, ndaj nuk jemi dëgjuar, ne nuk kemi mbirë, ndaj nuk jemi ushqyer, ne nuk kemi pirë, ndaj nuk na kanë dhënë ujë, ne nuk jemi ngritur, ndaj nuk kemi ecur, ne nuk kemi ecur, ndaj kemi mbetur në vend, ne nuk kemi qarë, ndaj nuk kemi lotë, ne nuk kemi luftuar, ndaj nuk kemi armë, ne nuk jemi falur, ndaj nuk kemi xhami….” Kjo retorikë të kujton Sali Berishën, por kurrsesi Sali Benishin e shekullit të shtatëmbëdhjetë në Voskopojë.

Ky fenomen bën diferencën e madhe të letërsisë nga eseja. Të gjithë personazhet në këtë libër flasin, ashtu siç mendon sot Ben Blushi. Ai i ka shpërndarë opinionet e tij në personazhe të ndryshëm, duke i kundërvënë me cinizëm ndaj njëri-tjetrit në përpjekje për të ngjizur një subjekt që vështirë se të ngel në mendje. Të gjithë të përkujtojnë qetësinë e autorit dhe biografinë e tij politike, që di të dyzojë veten herë me njërin, herë me tjetrin grup politik, duke qenë i aftë ta justifikojë në çdo vend pozicionin e vet. Në këtë pikë, nuk kemi aspak një roman me personazhe që na sjellin të vërtetat e një kohe dhe të na ilustrojnë përmes karakterit të tyre atë çfarë ka ndodhur me shqiptarët. Përkundër kësaj, kemi një esé të shkëlqyer, të shkruar shumë bukur që ngjall debat real për mënyrën sesi shqiptarët janë konvertuar në islam dhe problematikën e këtij konvertimi.

Së dyti, nëse gjithë kapitujt e librit i merr më vete, ata shërbejnë si esé më vete po rreth këtij debati. Dhe kur flet për babain e teqes së Tepelenës, dhe kur flet për Sabatai Zevitin, dhe kur flet për Skënderbeun, dhe kur flet për Ali Tepelenën, autori ka parasysh qëndrimin e tij ndaj këtyre figurave dhe ka prodhuar një debat për ta ilustruar idenë e tij. Por jo përmes letërsisë, po përmes publicistikës. Kapitujt e tij i ngjajnë pak a shumë eseve brilante të Oriana Falaçit dhe debateve të mëdha që ajo ka hapur në kohët e sotme, por kurrsesi një romani. Gjithë libri është një përpjekje për të prekur historinë, për të prekur personazhe të mëdha të saj dhe temën ndoshta më të madhe të historisë sonë që ka të bëjë me konvertimin në islam, por kjo nuk është bërë përmes letërsisë, por përmes publicistikës. Dhimitër Shuteriqi, gjyshi i autorit, është një nga shkrimtarët e mesëm të Shqipërisë, por personazhet e tregimeve të tij janë ndoshta nga më të spikaturit e letërsisë shqiptare. Ai vizaton mrekullueshëm karakterin e një personazhi qoftë dhe nga tronditja dhe dialogu që prodhon nga vrasja e një zogu. Me këtë dua të them se ai është shumë larg dhe letërsisë së Shuteriqit (pavarësisht akuzave të Berishës) dhe mbi të gjitha larg formatit të një romani. Në përpjekje për të shkuar drejt letërsisë, autori duket se nuk ka pasur parasysh vetëm objektivin si shkrimtar, por dhe historinë që ka dashur të prodhojë me këtë libër dhe ka mbetur brenda gazetarisë, natyrisht në një kuotë të lartë të saj.

Dhe së fundi dua të shtoj se nuk kemi të bëjmë me një libër antimysliman, edhe pse po të ishte i tillë, nuk do ishte ndonjë mollë e ndaluar. Por kemi të bëjmë me një esé provokative, e cila në ndryshim na esetë klasike që operojnë me ngjarje dhe personazhe konkrete, operon me ngjarje dhe personazhe të sotme, të cilët i ka zhvendosur në histori dhe iu ka vënë emra të tjerë për të ilustruar idetë e veta. Në këtë pikë, e shikoj krejt pa vend përpjekjen për të marketizuar librin në treg përmes përhapjes së idesë se kemi një roman kundër myslimanizmit në Shqipëri. Natyrisht, autori, për ata që e njohin, e dinë se ka qejf t’i hapë udhë kësaj thashethemnaje, por ajo realisht nuk është as shqetësuese dhe as reale. Libri nuk ka asnjë paralele as me Salman Ruzhdinë që ka bërë libër kundër fesë së vet, as me letërsinë kishtare, siç duan ta identifikojnë. Duke qenë se tema e librit është një debat i madh kombëtar dhe ndërkombëtar, autori e ka përzgjedhur me vetëdije si të tillë dhe ia ka dalë të debatojë rreth kësaj teme. Kapitujt e këtij libri qëndrojnë si esé më vete pa i prishur punë njëra-tjetrës, përkundrazi duke ndihmuar njëra-tjetrën në forcimin e këtij debati. Autori nuk duhet të ndihet keq, pse nuk ka mundur të bëjë një roman. Ai ka bërë një esé të mrekullueshme provokative, e cila ia vlen të debatohet, qoftë dhe për të mbushur boshllëkun kulturor në vend. Askush nuk humbet asgjë, nëse e lexon këtë libër, përveç atyre që presin të lexojnë një roman.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›