Meta: Më 23 qershor, fundi i përrallave të doktorit në botën e çudirave
Fier- Lideri i LSI-së Ilir Meta u ndal në qytetin e Fierit për të prezantuar kandidatët e këtij qarku në zgjedhjet e 23 qershorit, teksa shprehu besimin se koalicioni “Për të ardhmen evropiane” do të fitojë 80 mandate të sigurta me të cilat do qeverisë Shqipërinë, duke theksuar se fitorja më e madhe do të jetë në qarkun e Fierit.
Sipas Metës, në 23 qershor, fitorja e opozitës së bashkuar do t’i japë fund ”përrallave të doktorit në botën e çudirave”, siç i cilësoi Meta deklaratat e kryeministrit Berisha.
“Edhe sot pas kaq kohësh myzeqarët dhe shqiptarët, të lodhur nga politika e moçalit dhe e baltosjes që ka plagosur rëndë shpresën dhe besimin e të rinjve dhe të moshuarve, e grave dhe burrave, te Shqipëria e punës, te Shqipëria e mirëqenies, te Shqipëria e zhvillimit dhe e mundësive të barabarta për të gjithë, te Shqipëria evropiane….
Prandaj më 23 qershor Fieri, Lushnja, Mallakastra dhe të gjithë shqiptarët do ti japin fund përrallave të doktorit në botën e çudirave sepse fierakët dhe shqiptarë duan një lidership që nuk tregon përralla por që shikon realitetin në sy dhe që i jep dorën çdo të riu dhe çdo të reje, çdo të moshuari, çdo gruaje dhe çdo burri, për të ecur përpara dhe më shpejt në rrugën e mirëqenies, në rrugën e begatëse. Duan një lidership që nuk i shmanget sfidave ekonomike por që përvesh mëngët për ti zgjidhur ato. Duan një lidership që papunësinë nuk e shikon si statistikë por si një fatkeqësi ndaj jetës dhe mirëqenies të njerëzve të thjeshtë.
Duan një lidership dhe një qeverisje që nuk bën listaprezence nëpër mitingjet e saj por një lidership dhe një qeveri që i jep fund ushqimeve me lista nga qytetarët në dyqanet tona. Duan një lidership që nuk uzurpon pushtetet dukë gjymtuar shtetin dhe pavarësinë e institucioneve. Duan një lidership drejt integrimit dhe perëndimit dhe jo drejt izolimit. Duan një lidership që nuk mendon për grabitjen e zgjedhjeve të radhës por për aspiratat dhe perspektivat e gjeneratave të së nesërmes.
Fierakët dhe shqiptarët nuk duan një lidership që ndryshon sloganet e fushatës elektorale për tu dukur trendy por një lidership që ndryshon faqen e Fierit, të Lushnjës, Mallkastrës dhe të gjithë Myzeqesë., tha Meta.
Ndërsa tha se LSI-ja është garanci për rrotacionin e sigurt të 23 qershorit, “se ka treguar se nuk mbjell urretje mes shqiptarëve, por ndërton ura bashkëpunimi, vizionin dhe energjitë e duhura, për të ccliruar potencialet e fjetura që ka ekonomia shqiptare, kemi plan punësimi me 5 pika të qarta…”,- tha ndër të tjera Meta.