E Diel, 1 Nëntor 2026

Hand: Me Shqipërinë po humbet durimi. Lojrat me KQZ-në, për të ardhur keq

hand-zgjedhjetSHBA- Një vëzhgues i hershëm i zgjedhjeve në Shqipëri dhe njohës i mirë zhvillimeve politike atje thotë se ende ekziston mundësia për zgjedhje të rregullta në Shqipëri në qershor, por shton se duhet vepruar me shpejtësi për ta realizuar një gjë të tillë.  Këshilltari i lartë politik i Komisionit amerikan të Helsinkit Robert Hand, shprehu në një intervistë për Zërin e Amerikës keqardhjen për ato që i quajti lojra politike, përfshirë situatën e krijuar me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Zoti Hand, thotë se  nëse arrihet një marrëveshje për KQZ-në duhet të jetë afatgjatë  dhe në mbështetje të ligjit. Zoti Hand tha se komuniteti ndërkombëtar nuk është i kënaqur me mënyrën e të bërit politikë në Shqipëri, që sipas tij e pengon realizimin e potencialit të plotë të vendit.

Zëri i Amerikës: Zoti Hand, komuniteti ndërkombëtar, përfshirë përfaqësues të qeverisë dhe Kongresit amerikan që folën në seancën e fundit për Shqipërinë, kanë thënë se zgjedhjet e qershorit janë të një rëndësie vendimtare për të ardhmen e vendit dhe integrimin evropian. Sipas jush çfarë varet nga këto zgjedhje?

Robert Hand: Mendoj se gjithnjë e më shumë ka një humbje durimi me Shqipërinë. Ne duam që Shqipëria të jetë e suksesshme, ne e dimë që e ka mundësinë që të jetë e suksesshme. Ka pasur një farë përparimi në mbajtjen e zgjedhjeve të viteve të fundit, por përparimi nuk ka qenë i mjaftueshëm, prandaj edhe e  quajtëm seancën Ritmi i përparimit. Pra nuk mund të mohohet që ka pasur përparim, por nuk ka qenë aq i shpejtë sa çduhet.

Mendoj se nuk vihet në diskutim që Shqipëria duhet të ishte në gjendje deri tani të mbante zgjedhje që të jenë pa mëdyshje të lira dhe të drejta, që gjithkush të kishte krijuar besim tek institucionet dhe si rrjedhojë tek rezultatet e zgjedhjeve.

Për fat të keq kemi filluar që tani të shohim për zgjedhjet e ardhshme se po bëhen shumë lojra dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është një prej tyre dhe kjo po shkakton humbje besimi dhe mendoj se kjo është për të ardhur keq.

Nëse zgjedhjet e kësaj radhe në Shqipëri nuk marrin notë të mirë, pa diskutim që do të ketë pasoja për shpejtësinë e integrimit në Bashkimin Evropian. Anëtarësimi, edhe në rrethana ideale do kohë që të bëhet, kështuqë nuk mund të përballohen vonesa të mëtejshme. Prandaj zgjedhjet duhet të jenë të rregullta. Ende ekziston mundësia, por mendoj se duhet të veprojnë me shpejtësi për ta realizuar një gjë të tillë.

Zëri i Amerikës: Ju përmendët Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.  Ju gjithashtu flisni për lojra politike. Sipas jush çfarë forme duhet të ketë zgjidhja e këtij problemi?

Robert Hand: Është pak e vështirë për mua ta parashikoj një gjë të tillë  sepse janë bërë lojra me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke shkarkuar zotin Muho. Tre anëtarë të tjerë dhanë dorëheqjen. Sigurisht që ata (forcat politike) duhet të ulen së bashku të diskutojnë sesi ta plotësojnë KQZ-në, por nuk duhet të jetë thjesht një vazhdim i lojës politike ku një shtrëngim duarsh mes dy partive politike, del mbi ligjin. Mendoj se shumë njerëz mendojnë se nëse do të ishte respektuar ligji, ky veprim nuk duhet të kishte ndodhur. Prandaj mendoj se duhet të ketë një riangazhim ndaj kodit zgjedhor, ndaj ligjeve, dhe një ide të qartë për ecurinë e mëtejshme. Pikëpamja ime për KQZ-në është se këta njerëz (anëtarët) zgjidhen nga partitë politike, por pasi janë miratuar, duhet të pritet prej tyre që të sillen me profesionalizëm, jo në mënyrë politike. Do të duhet një marrëveshje politike për ta rikthyer këtë formulë, por do të duhet gjithashtu një rikonfirmim i qartë që do ta respektojnë kodin, do të respektojnë ligjet dhe jo thjesht të bien në ujdi për atë që duan apo nuk duan të bëjnë.

Zëri i Amerikës:  Cilat do të ishin pasojat e një ujdie politike, në vend që të gjendet një zgjidhje afatgjatë për këtë problem?

Robert Hand: Do të thotë që një situatë e tillë mund të përsëritet. Do të thotë që kurdo që i intereson dikujt, mund të luajë me KQZ-në. Mendoj se për këto zgjedhje, por edhe për zgjedhje të ardhshme, integriteti i KQZ-së dhe gjithë organizmave të tjera zgjedhore duhet të respektohet, në mënyrë që njerëzit të kenë besim tek to. Prandaj nuk duhet të jetë një zgjidhje e momentit që lejon ecurinë e këtyre zgjedhjeve. Duhet të ketë një rikonfirmim i respektimit të kodit, të ligjeve dhe që këto institucione që duhet të rregullojnë në mënyrë të paanshme procesin e zgjedhjeve, të bëjnë të mundur që njerëzit të hedhin votën, të numërojnë votat siç duhet. Që gjithkush të besojë dhe rrjedhimisht të respektojë rezultatet, ka nevojë për instucione që gëzojnë besim dhe duhet bërë më shumë për krijuar besim tek këto institucione.

Zëri i Amerikës: Nga reagimet ndërkombëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara, duket se kritikat për ndryshimin e anëtarit të LSI-së kanë qenë më të forta sesa reagimi ndaj dorëheqjes së tre anëtarëve të opozitës që pasoi. A është kjo një miratim i heshtur i veprimit të anëtarëve të opozitës, si reagim ndaj ndryshimit të parë?

Robert Hand: Nuk besoj se është pranim, ose miratim i dorëheqjeve, por është e qartë se nëse dikush do të japë dorëheqjen, është i lirë ta bëjë një gjë të tillë. Nuk është jashtë parashikimit të ligjit. Mendoj se pyetja që shtrohet është nëse heqja e zotit Muho ishte legjitime apo, nëse u bë ligjërisht apo jo dhe shumë mendojnë se nuk u bë ligjërisht, se parlamenti nuk duhej të vepronte siç veproi. Nuk më duket se kjo do të thotë që kritikët mbështesim vendimin e dorëheqjeve, por duket se ata po përqendrohen tek mënyra sesi duhet të funksionojë KQZ-ja dhe se efektivisht përpjekja për shkarkimin e përfaqësuesit të LSI-së e vuri në pikëpyetje integritetin e KQZ-së dhe kjo është çështja kryesore.

Marrë nga Zëri i Amerikës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›