Meta: "Ndahemi" me Serbinë për Kosovën, bashkëpunim për integrimin

Pavarësisht nga dallimet thelbësore për statusin e Kosovës, Shqipëria e Serbia janë të vendosura të bashkëpunojnë në interes reciprok, veçanërisht për integrimin evropian. Kjo ka qenë deklarata e ministrit të Jashtëm Meta në një konferencë për shtyp pas vizitës në Serbi.
Ministri Meta deklaroi se të dyja vendet do të bashkëpunojnë për të përshpejtuar integrimin europian, por nga ana tjetër, në takime me zyrtarë serbë është dukur qartë dallimi sa i përket statusit të Kosovës. Më tej, Meta nënvizoi se e ardhmja e Kosovës është Bashkimi Europian.
Zëvendëskryeministri Meta tha se Shqipëria është e gatshme të zhvillojë regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare.
Gjatë qëndrimit në Beograd, ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç iu shpreh z. Meta se në Shqipëri ekziston një minoritet serb, minoritet i cili nuk është regjistruar deri më tani në vendin tonë.
"Ne jemi të hapur për regjistrimin mbi baza etnike. çdo qytetar i lirë duhet të shpreh përkatësinë e tij etnike", saktësoi ai.
Meta tha vizita në luginën e Preshevës do ishte e vështirë për t'u realizuar pa pasur në konsideratë përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë.