Demokratët depozitojnë në Kuvend draft paralel për komisionet hetimore
Partia Demokratike ka dorëzuar në sekretarinë e Kuvendit amendamentet e saj në lidhje me ngritjen e komisioneve hetimore. Burimet nga Grupi Parlamentar i PD-së kanë bërë të ditur se kërkesë kryesore e demokratëve do të jetë moshapja e kutive të votimit për të cilat ka një vendim gjykate. Ata do të kërkojnë që pikërisht kjo çështje të kalojë për shqyrtim në Komisionin e Venecias, që është strukturë e Komisionit Europian. Ditën e hënë është parashikuar një tjetër mbledhje e Komisionit Parlamentar të Ligjeve, ku pritet të bëhen publike amendamentet e demokratëve për ndryshimet në ligjin për funksionimin e komisioneve hetimore.
Propozimet
Duke u nisur edhe nga debatet e bëra gjatë javës së kaluar në Komisionin e Ligjeve mes deputetëve të PS-së dhe atyre të PD-së, janë tri nene që do të kërkohen nga demokratët që të ketë ndryshime dhe vlerësime nga Komisioni i Venecias. Në nenin 2 të projektligjit të PS-së është parashikuar që “në rast se kërkohet ngritja e komisionit hetimor për hetimin e çështjeve që lidhen me zgjedhjet e përgjithshme ose ato të qeverisjes vendore, ky komision nuk mund të ngrihet në rast se kanë kaluar: 6 muaj nga dita kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të përgjithshme të Kuvendit; 3 muaj nga dita kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për qeverisjen vendore”. Demokratët mësohet se do të kërkojnë ndryshim të afateve. Sipas burimeve, PD-ja do të synojë që të zvogëlojë afatet prej gjashtë apo tre muajsh të propozuara nga socialistët. Po kështu pritet të ketë debate për nenin 3 të projektit të depozituar në Kuvend nga PS-ja. Në këtë nen parashikohet që “në rastet kur objekti i hetimit lidhet me çështje të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin apo të qeverisjes vendore, shumica e anëtarëve të komisionit hetimor i përket partisë më të madhe të opozitës”. Mësohet se demokratët do të propozojnë ndryshimin sipas të cilit, shumica në komisionin hetimor t’i përkasë asaj force politike që bën kërkesën për ngritjen e këtij komisioni. Pritet që ky ndryshim i PD-së të kundërshtohet me forcë nga socialistët, synimi i të cilëve është që ndryshimet t’i qëndrojnë kohës dhe të mos bëhen vetëm për një komision hetimor. Së fundi, debate të ashpra pritet të zhvillohen edhe për nenin 4 të projektit të PS-së, që përbën dhe kushtin kryesor të socialistëve. Në këtë nen parashikohet që “në rastet kur objekti i hetimit lidhet me çështje të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin ose për qeverisjen vendore dhe në shërbim të hetimeve mbi çështjet, shumica e anëtarëve të komisionit mund të vendosë hapjen e një apo disa kutive të materialeve zgjedhore për të këqyrur, hetuar ose publikuar një apo disa nga dokumentet zgjedhore dhe/ose hapjen e një apo disa kutive të fletëve të votimit duke kryer rinumërimin e tyre për efekt të verifikimit të problemeve të mundshme të evidentuara gjatë procesit të pasqyrimit të rezultatit të numërimit të votave në tabelat përkatëse të rezultateve”. Mësohet se demokratët do të kërkojnë që të hapen vetëm ato kuti për të cilat nuk ka vendim gjykate, në mënyrë që të mos cenohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe parimi i ndarjes së pushteteve. Pikërisht ky nen ka përbërë mollën e sherrit mes demokratëve dhe socialistëve gjatë mbledhjeve të Komisionit të Ligjeve dhe për këtë pritet të kërkohet asistenca ligjore e Komisionit Europian.
15 Mars 2010