E Diel, 1 Nëntor 2026

Fëmijët, pse prindërit po e humbasin autoritetin brenda familjes



Përflitet shumë për dobësimin e vazhdueshëm të familjes, madje dhe për prishjen e saj. Duke theksuar se martesat e jashtëligjshme, lindjet jashtëmartesore dhe familjet me një prind apo pa fëmijë ndikojnë në strukturën e familjes. Dr. Ergun Yildirim, pohon se me kalimin e kohës autoriteti i nënës dhe i babait sa vjen e dobësohet. Si rezultat e lirisë, individualizmit dhe përparimit shoqëror të cilat zhvillohen bashkë me përhapjen e modernizmit, funksionet tradicionale të familjes i marrin përsipër institucione të reja si kopshti, azili i pleqve, shtëpitë e strehimit, konviktet, etj. Autoriteti i nënës dhe i babait po dobësohet. Ky autoritet me anë të arsimit të detyruar më parë i kalon shtetit, pastaj emrave politikë të medias dhe yjeve të kinemasë.
Fenomeni
Sot, kudo në botë, ku më shumë e ku më pak, po përjetohet fenomeni i “familjes së ndarë”. Familja shkatërrohet me rritjen e numrit të personave që bashkëjetojnë, të nënave me fëmijë të jashtëligjshëm dhe me paraqitjen e familjeve me një prind apo pa fëmijë. “Pavarësisht përçarjes që po përjeton familja, nuk mund të themi që familjes i ka ardhur fundi”,- thotë Dr.Ergun, i cili më pas shton edhe disa veçori të familjes: “Përkatësia, shoqërimi, solidariteti, martesa e ligjshme, ambient natyral përkatësie të fëmijës...”. Sipas tij, shtimi i numrit të institucioneve të cilat marrin përsipër funksionet e familjes si kopshtet, azilet, konviktet e edukimit dhe të cilat nuk arrijnë të plotësojnë rolin që mundëson familja, ka bërë që autoriteti i nënës dhe i babait të dobësohet dhe në shoqëri po përhapen fenomenet e lidhjes materiale mes të rinjve, nënvlerësimit të fëmijëve dhe keqtrajtimit të të moshuarve. Një tjetër çështje e cila ia vlen të nënvizohet është unifikimi i familjes. Duke theksuar se shumë çështje duke filluar që nga lindja e fëmijës, edukimi, marrëdhëniet brenda familjes, divorcit, ribashkimit janë lënë nën vëzhgimin e specialistëve dhe doktorëve, Yildirim shprehet me këto fjalë: “Specialistët pas vëzhgimeve të bëra arrijnë në përfundimin se ekziston një konstrukt familjeje. Pavarësisht nënvlerësimit të fëmijëve apo marrëdhënieve të jashtëligjshme, ne nuk besojmë se ka ardhur fundi i familjes”.
Funksioni i familjes po zhduket
Struktura të ndryshme si liria seksuale, planifikimi familjar, shtimi i konvikteve të edukimit, azileve, shtëpive të strehimit për gratë, vizaton një vijë e cila të çon drejt zhdukjes së shumë funksioneve të familjes. Funksionimi i këtyre strukturave vlerësohet si një transformim i familjes.
Kanë ndryshuar kufijtë e privatësisë
Dhe ndryshimi më i rëndësishëm është ndryshimi i kuptimit të kufijve të fshehtësisë. Ky ndryshim ndihet në rrugë, media dhe në shkollë. Të gjithë kanë të drejtën e fjalës përsa i përket familjes. Ndoshta dhuna është pakësuar por janë penguar solidariteti brenda familjes, ndihma dhe autoriteti.
Mbaroi koha e fqinjëve, kafetë janë në shitje
Bashkë me urbanizimin humbën dhe rrugët apo lagjet e ndërtuara sipas lidhjeve familjare apo mes fqinjëve. Në ambientet e reja të qytetit kafetë po kryejnë funksionet e ndryshme të familjes. Zyrat, vendet e punës, fabrikat dhe dyqanet janë bërë vendet ku lindin shoqëri e miqësi të reja në qytetin e ri.

Nënat e vetmuara, ja pesë aktivitetet e baballarëve me fëmijët
Shumica e nënave ndihen të vetmuara kur bëhet fjalë për edukimin e fëmijës. Babai është i ngarkuar vetëm për të sjellë para në shtëpi. Edhe pse fëmijët kanë nevojë për mbështetjen e baballarëve, duke filluar që nga përkujdesja tek zhvillimi, nga arsimimi tek jeta shoqërore. Baballarët mund të ndajnë me fëmijët e tyre disa aktivitete themelore si leximi i librit, tregimi i përrallave, ndihma në mësime, lojëra e të tjera. Në shoqërinë tonë në ndryshim, edhe rolet e nënës dhe të babait janë në ndryshim e sipër. Nënat dhe baballarët tashmë e kuptojnë më mirë ndikimin e sjelljeve të tyre tek personaliteti i fëmijëve. Parë nga ky aspekt, shumë nëna dhe baballarë të cilët kanë dëshirë të marrin më tepër njohuri, të cilët ndihen të mangët në edukimin e marrë nga familja marrin pjesë në seminaret e edukimit dhe lexojnë libra në lidhje me zhvillimin e personalitetit. Nëse nëna dhe babai kanë të njëjtin shqetësim, edukimi i fëmijës është më i lehtë dhe ka më pak probleme. Por në disa familje baballarët akoma mjaftohen vetëm me përmbushjen e nevojave materiale të familjes. Megjithëse nëna dhe babai me cilësitë e ndryshme të tyre zhvillojnë anë dhe veçori të ndryshme tek fëmija. Fëmija ashtu siç ka nevojë për modelin e nënës ashtu ka nevojë dhe për modelin e babait. Edhe nëse babai ka përgjegjësi të mëdha në punë, nëse është shumë i zënë për shkak të punës përsëri duhet të organizojë një pjesë të kohës për ta kaluar së bashku me fëmijët, kjo ndihmon në zhvillimin e shëndoshë të personalitetit të tyre. Ja disa nga veprimet të cilat nuk do t’i marrin shumë kohë babait dhe do të mundësojnë një zhvillim të shëndoshë të fëmijës:

1. Përkujdesuni bashkë për fëmijën
Sipas studimeve të bëra, fëmija ndjen prezencën e babait që në barkun e nënës. Sa më afër që t’i qëndrojë babai fëmijës në ditët e para pas lindjes, aq më e ngrohtë do jetë dhe lidhja mes tyre. Për këtë arsye nëse nëna ka pasur lindje me operacion, fëmijën për herë të parë mund ta marrë babai. Nëse fëmija gjatë natës ka probleme me gazrat, atëherë mund ta mbajnë me radhë me nënën dhe kështu të kalojë çaste të lumtura vetëm për vetëm me të. Nëse gjatë banjës, ngrënies, veshjes e të tjera fëmijës i tregohet dashuri e ngrohtësi dhe për ta qetësuar i bëhet një masazh, kjo mund të krijojë një dialog të mirë mes tyre. Ky veprim siguron një qetësi psikologjike jo vetëm për fëmijën por edhe për babain.
2. Luani me fëmijët tuaj:
Luajtja me fëmijën tuaj qoftë djalë apo vajzë është shumë e rëndësishme për një dialog të shëndoshë. Loja ndihmon të bëhesh shok me fëmijën, të hysh në botën e tij dhe të njohësh karakterin e tij. Përveç kësaj, me anë të lojës nëna dhe babai largohen nga streset e përditshme, mund të kontrollojnë veprimet e tyre nëpërmjet veprimeve që fëmija pasqyron gjatë lojës. Fëmija mund të mësojë ca rregulla, parime gjatë lojës apo tregimit të një përralle. Në këtë mënyrë ai mund të marrë një edukim me ndikim afatgjatë. Shoqëria e filluar që në moshë të vogël mund të vazhdojë me sportin apo lojërat në tavolinë kur ai të rritet. Kjo lehtëson edhe më tepër komunikimin e nënës dhe babait me fëmijën në moshën e adoleshencës.
3. Lexojini libër pas moshës një vjeçare
Pas moshës një vjeçare caktimi i orareve të posaçme për leximin e ndonjë libri është shumë i rëndësishëm për një komunikim dhe zhvillim të shëndoshë të fëmijës. Realizimi i një pjese prej këtyre orëve me babain dhe zgjedhja e librave bashkë me fëmijën në trajtën e një loje sjell rezultate të dukshme.
4. Tregojini përralla dhe tregime
Tregimi i përrallave, dhënia e një shembulli është një nga rrugët më të suksesshme të edukimit. Kjo gjë përforcon lidhjen në mes babait dhe fëmijës. Përveç kësaj, shpjegimi i një çështjeje brenda përrallës apo tregimit që në moshë të vogël ndikon më shumë se shpjegimi i drejtpërdrejtë. P.sh., janë të njohura historitë e pinokut gënjeshtar apo kokëfortësia dhe dinakëria e dhelprës, nëse fëmijës i shpjegohet me anë të përrallës se nuk duhet të gënjejë dhe të tregohet i sinqertë, atëherë kjo gjë lë mbresa tek ai për të mos u harruar asnjëherë. Shumë nëna dhe baballarë janë të kënaqur nga kjo metodë.
5. Ndihmojini në mësime
Shoqëria që keni krijuar me fëmijën nuk duhet të jetë pengesë për disiplinën. Nëna dhe babai që pasqyrojnë sjellje demokratike mund ta praktikojnë disiplinën duke treguar dashuri dhe vendosmëri. Nëse babai është në një mendje me nënën dhe nëse mësuesja ka një dialog të mirë me nënën, në takimet me prindër fëmija do të marrë gjithnjë vlerësimin maksimal. Edhe nëse babai është shumë i zënë, mjafton të merret një ose dy orë në muaj me fëmijën, t’ia kontrollojë detyrat dhe në këtë mënyrë mund të kuptojë kapacitetin e perceptimit të fëmijës dhe mbarëvajtjen e tij në mësime. Nëse kjo përkujdesje dhe interesim shfaqet duke e mbështetur dhe vlerësuar fëmijën kjo gjë mundëson lumturinë, forcimin e besimit në vetvete si rrjedhojë dhe zhvillimin e shëndoshë të tij.

13 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›