E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Në demokraci ka nevojë për ndryshime dhe për të lidhur marrëveshje të reja

SHKODER- Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i shoqëruar nga kandidatët për deputetë Agron Çela dhe Nora Malaj. ka zhvilluar disa takime në fshatin Kosmaç të Komunës Bushat si dhe në Komunën Rrethina dhe në Postribë. Në bashkëbisedimin me banorët e këtyre zonave Meta u shpreh se duke mbështetur më shumë bujqësinë dhe duke stimuluar bizneset për të hapur vende të reja pune, do krijohet mundësia për të zgjidhur shumë probleme të këtyre zonave. 

“Nuk po themi që nuk është bërë asgjë, por ato që janë bërë në radhë të parë janë kontributi i të gjithë taksapaguesve shqiptarë që paguajnë për buxhetin e shtetit. Gjithsesi, gjërat duhen bërë shumë më ndryshe, tha z. Meta. Ndaj unë besoj se duke ecur në këtë drejtim duke mbështetur më shumë bujqësinë, industrinë agro-përpunuese, duke stimuluar bizneset për të hapur vende të reja pune do të kemi mundësinë të zgjidhim shumë probleme të këtyre zonave të zhvillojmë ekonominë e vendit, të rrisim prodhimi, të rrisim eksportet”, vijoi kryetari i LSI-së. 

“Sepse një ekonomi që nuk eksporton është një ekonomi që shkon drejt falimentimit. Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme, por kërkon një qeveri me këmbë në tokë dhe me vullnetin për t’i parë të gjitha këto probleme që ju ndeshni çdo ditë. Ndaj unë ju ftoj të përkrahni LSI dhe kandidatët tanë, Agron Çelën, Nora Malajn dhe të gjithë ekipin”, theksoi Meta.

Ndërkaq, ai shprehu bindjen se populli i Shkodrës do të bëjë një marrëveshje të re më 23 qershor me LSI-në në mënyrë që e gjithë Shqipëria të ndryshojë më shpejt dhe të përballohen të gjitha problemet ekonomike dhe sociale.

“Në demokraci ka nevojë për ndryshime ka nevojë për të lidhur marrëveshje të reja dhe populli i Shkodrës jam i bindur do të bëjë një marrëveshje të re dhe ne jemi plot besim që ju do ta bëni me LSI-në, në mënyrë që Shkodra dhe e gjithë Shqipëria të ndryshojë më shpejt dhe që të përballojmë të gjitha ato probleme të mëdha ekonomiko dhe sociale”, vijoi Meta. 

Gjithashtu, kreu i LSI-së zhvilloi edhe një bashkëbisedim me ish-ushtarakë në Shkodër dhe u njoh me problematikat që ka kjo kategori. Në fund, Meta pati edhe një takim në një ambient festiv me gra dhe vajza simpatizantë të LSI-së së qytetit të Shkodrës.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›