E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Ne kontribuues në integrim, opozita jo

26/04/2010 LSI analizon ecurinë e saj në politikë pas zgjedhjeve të 28 qershorit

Lidershipi i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka mbrojtur vendimin e marrë pas zgjedhjeve politike të 28 qershorit për t’u bërë pjesë e koalicionit të Qeverisë së Kryeministrit Sali Berisha. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, gjatë mbledhjes së Komitetit Drejtues Kombëtar, i mbledhur për të analizuar situatën politike, ka deklaruar se partia që drejton i ka dhënë një vlerë të re qeverisjes dhe politikës në vend, me futjen e saj në koalicion me PD. Por duke evidentuar këtë, ai ka sulmuar ashpër opozitën e në mënyrë të veçantë Partinë Socialiste. Sipas tij, opozita me qëndrimet që po mban dhe për pasojë me mungesën e kontributit, po punon kundër aspiratave madhore të vendit, liberalizimin e vizave dhe integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Duke u ndalur në zgjedhjet e fundit parlamentare, ai theksoi se opozita cenoi një proces, i cili u njoh nga partnerët ndërkombëtarë. “Është për të ardhur keq që në këtë angazhim për dy gjëra të mëdha, që kanë të bëjnë me interesin e drejtpërdrejtë të të gjithë shqiptarëve, jo vetëm që nuk kemi ndier mbështetjen dhe ndihmën e forcave në opozitë, përkundrazi, vëmë re një mungesë përgjegjësie dhe një pasion, për fat të keq, për të nxirë çdo gjë, dhe nuk i bëjnë pyetjes vetes se çfarë kontributi dhamë ne në këtë proces”, deklaroi kreu i LSI-së. Meta ka theksuar se opozita po trillon në shumë drejtime, madje po bëhet nxitëse e trazirave në vend, vetëm me qëllimin për të marrë pushtetin. Ai tha se opozita kërkon të rrëzojë pushtetin me dhunë sipas modelit të Kirgistanit. Gjatë analizës së tij, Meta është ndalur në sfidën e radhës politike: zgjedhjet për pushtetin vendor. Kreu i LSI-së sulmoi keqqeverisjen vendore në shumë bashki e komuna. Ai kërkoi nisjen e përgatitjeve serioze për përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet vendore, duke mos përsëritur gabimet e kaluara.

Luan Rama

Komiteti Drejtues Kombëtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka vendosur gjatë mbledhjes së ditës së djeshme ndryshime në hierarkinë politike. Në këtë mënyrë, sekretari aktual për Marrëdhëniet me Publikun, Luan Rama, është emëruar në postin e sekretarit të Përgjithshëm të kësaj partie, që aktualisht mbulohej nga Petrit Vasili.

Petrit Vasili

Largimet e disa figurave nga lidershipi i LSI-së kanë detyruar KDK-në, forumin e lartë vendimmarrës të kësaj force politike, të emërojë sekretarin e Përgjithshëm Petrit Vasili në postin e nënkryetarit të partisë. Në postin e numrit dy të LSI-së ishte Pëllumb Xhufi, por me linjën politike që mori kjo parti pas zgjedhjeve të 28 qershorit, ai u largua nga LSI-ja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›