E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërblime të diferencuara për personelin shëndetësor

26/04/2010 Qendra Spitalore “Nënë Tereza”

Ndarja e shpërblimeve për personelin shëndetësor në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” do të jetë e diferencuar sipas llojit të shërbimeve dhe punës së kryer. Kështu, shërbimet që rezultojnë me punën më voluminoze të bërë do të përfitojnë edhe masën më të lartë të shpërblimit. Kreu i QSUT-së, Ilir Dashi, ka pohuar se këto të ardhura dytësore, që janë mbledhur nga pacientët e pasiguruar, janë ndarë sipas punës së kryer në çdo shërbim, duke lënë të nënkuptojë se nuk do të jetë i ulët numri i punonjësve që do të përfitojnë shpërblim deri në masën e një page mujore. "Konstatova që për shumë muaj, për 11 muaj, nuk janë dhënë shpërblimet që u takojnë nga të ardhurat dytësore punonjësve, që, sipas ligjit, 30 për qind e tyre duhet të shkojnë te shërbimet. Konsultat kanë krijuar goxha shërbime, ekzaminimet dhe pastaj vijmë me Kardiologjinë, Onkologjikun. Janë shumë shërbime që kanë krijuar të ardhura të konsiderueshme", ka deklaruar Dashi. Këto të ardhura gjatë këtij muaji do të shpërndahen te personeli shëndetësor, sipas grafikëve të hartuar në secilin pavijon. Gjatë viteve të fundit, numri i pacientëve që i janë drejtuar kësaj qendre për të marrë shërbimin shëndetësor ka ardhur gjithnjë në rritje. Pjesa dërrmuese e tyre nuk kanë qenë pjesë e skemës së sigurimeve, çka i ka detyruar ata që për vizitat e kryera të paguajnë kostot reale. Në këtë mënyrë, ky fond të ardhurash i grumbulluar në këtë rrugë, tani e tutje do të përdoret jo vetëm për sigurimin e barnave në spitale apo të pajisjeve, por edhe për stimulimin e personelit shëndetësor.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›