E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi e Berisha: Korridor i kombit

26/04/2010 Nisin punimet për ndërtimin e rrugës Morinë-Merdarë, vijim i Durrës-Kukës

Autostrada me gjatësi 103 kilometra ka një kosto prej 700 milionë eurosh

Kryeministri Hashim Thaçi dhe Sali Berisha, përmes një gjesti simbolik, duke shtypur një buton, kanë nisur punimet e ndërtimit të autostradës Morinë-Merdarë, vijim i Durrës-Kukës-Morinë. Pranë qytetit të Prizrenit, i cili ka një domethënie të madhe në historinë e kombit shqiptar, u zhvillua ceremonia e nisjes së punimeve. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, Kryeministri Hashim Thaçi, Kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe Kryeministri i Qeverisë së Tiranës, Sali Berisha, në fjalimet e tyre kanë vënë theksin në rëndësinë kombëtare që merr kjo rrugë: bashkimi moral mes shqiptarëve të ndarë në të dy shtetet. Kryeministri i Qeverisë së Prishtinës, ka kujtuar se vetëm 11 vjet më parë Kosova ishte një fushëbetejë për liri. “Sot, kur nisim rrugën e kombit, më lejoni të përkujtojmë me respekt ëndrrën dhe sakrificën e stërgjyshërve dhe baballarëve tanë me kufij të ndarë, dhe t’u themi me zë të lartë dhe shtetëror: po, sot, në këtë ditë, po e nisim rrugën tonë, rrugën e munguar, rrugën e kombit, rrugën e ëndrrave tuaja dhe ëndrrave tona, rrugën e afrimit dhe komunikimit, rrugën e zhvillimit ekonomik dhe emancipimit shumëdimensional të shoqërisë kosovare. Sot po e fillojmë rrugën që nga Kosova në Shqipëri, Prizreni në Kukës, kishte një distancë njëshekullore”, ka deklaruar Kryeministri Thaçi. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha është ndalur në rëndësinë e kësaj rruge. Sipas tij, inaugurimi i korridorit të kombit, vetëm në pak më shumë se dy vjet Kosovë e pavarur, dëshmon se çfarë mund të bëjnë shqiptarët e lirë. “Ky korridor është gjithashtu një përpjekje e madhe e shqiptarëve për të ndërtuar idealin e tyre evropian. Korridori së shpejti do të jetë korridor bashkëpunimi dhe miqësie mes vendeve të rajonit. Unë kam bindjen më të madhe se nuk do të jetë e largët dita kur nga ky korridor do të përfitojnë Serbia, jo më pak se Shqipëria, Maqedonia, jo më pak se Kosova”, tha Berisha. Por kreu i Qeverisë së Tiranës ka deklaruar se ndërtimi i kësaj rruge është vetëm fillimi i një rrjeti të madh infrastrukturor. Ai premtoi se më pas do të vazhdohet me inaugurimin e fillimit të punimeve të hekurudhës që do të lidhë Tiranën me Prishtinën.

Autostrada

Autostrada Morinë-Vermicë-Prizren-Merdarë, vijim i asaj Durrës-Kukës-Morinë, është cilësuar si një ndër projektet më madhore nga autoritetet në Kosovë dhe Shqipëri. Ndërtimi i autostradës me gjatësi 103 kilometra, që ka një kosto prej 700 milionë euro, është nënshkruar mes Qeverisë së Kosovës dhe konsorciumit amerikano-turk “Bechtel & Enka”, pritet të zgjasë për rreth 3 vjet. Gjatë gjithë punimeve për ndërtimin e rrugës mendohet se do të punësohen një numër i konsiderueshëm qytetarësh kosovarë, që mund të shkojë deri në 6 mijë. Autostrada parashikohet të jetë e gjerë 28 metra, me 4 shirita qarkullues. Ministri i Transporteve të Kosovës, Fatmir Limaj, ka bërë të ditur se javët e fundit Qeveria e Prishtinës i dha zgjidhjen përfundimtare shpronësimeve në zonën që prek rruga, me anë të një vendimi për lëvrimin e fondit, pasi u përcaktua edhe gjurma që do të ndjekë rruga.

Presidenti Sejdiu

Kreu i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka vlerësuar ndërtimin e rrugës si momentin e përfundimit të ndarjes së imponuar. Gjithashtu, ai e pa edhe nga këndvështrimi financiar këtë ndarje. “Ata që kanë kundërshtuar lidhjen e dy vendeve, për shkak të kostos së lartë të autostradës, do të binden për të kundërtën nisur nga përfitimet”, ka thënë ai. Sejdiu tha qytetarët do të mund të shijojnë detin e Adriatikut dhe do të shkurtojë largësinë e Shqipërisë nga Prizreni.

Ambasadori Dell

Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Christopher Dell, ka deklaruar në inaugurimin e rrugës se “kjo është një rrugë vendimtare në rrugëtimin e Kosovës për të qenë një shtet i aftë të marrë vendimet e veta duke caktuar cilat janë nevojat”. Sipas tij, çdokush që vë në pikëpyetje nëse ky është një vendim i drejtë, le të shikojë këta qindra qytetarë që kanë ardhur këtu. Ai vlerësoi zgjedhjen e një kompanie amerikane për ndërtimin e rrugës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›