E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Në politikën shqiptare s’ka përjashtime prej 21 vitesh – standardi i PS, i papranueshëm

18-12-2011 / Gazeta 55

Përjashtimi i tre deputetëve socialistë prej Edi Ramës

Të papranueshëm e ka konsideruar kryetari i LSI-së, Ilir Meta mundësinë e përjashtimit të Kastriot Islamit nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste. I pyetur nga mediat për këtë çështje, Meta tha se nuk mund të ketë përjashtime të tilla pas 21-vjetësh pluralizëm.
Sipas Metës, Islami ka kontribut shumëvjeçar në Partinë Socialiste dhe në politikë dhe nuk ka bërë asnjë gabim, përveç se ka shprehur hapur mendimin e tij, i cili padyshim në rastin konkret s’ka qenë në unison me atë të lidershipit të selisë rozë.
“Në radhë të parë nuk dua ta besoj se ka qenë një lajm i vërtetë ai që ka qarkulluar mbrëmë se kryesia e Partisë Socialiste ka vendosur të përjashtojë profesor Kastriot Islamin, për arsye se ka 21 vite që nuk ka përjashtime në përgjithësi në politikën shqiptare. Ka 21 vite që në Partinë Socialiste nuk ka ndodhur ndonjë përjashtim i tillë dhe nuk besoj se mund të ndodhë aktualisht aq më tepër kur bëhet fjala për një figurë shumë të njohur publike që ka kontribuar për themelimin e Partisë Socialiste, për reformimin dhe modernizimin e saj, ku bëhet fjalë për një personalitet të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, dhe të shumë organizmave të tjera ndërkombëtare dhe për një intelektual të një niveli shumë të lartë. Për sa i takon Islamit, mund të them se ai do t’i bënte nder edhe partive më me traditë socialiste apo socialdemokrate në Evropë. Në mbledhjen e fundit të kryesisë së PS, dy ditë më parë, Edi Rama ka propozuar përjashtimin e Kastriot Islamit nga grupi parlamentar, për thyerje të disiplinës. Pas qëndrimeve kritike dhe në kundërshtim me vendimet politike të grupit, Rama ka marrë shembull votimin e fundit në Kuvend, për kandidaturën e Bujar Leskajt për KLSH-në, ku Islami s’ka marrë pjesë dhe u ka shpjeguar anëtarëve të kryesisë se pikërisht për këtë veprim të pajustifikuar ai duhet të çregjistrohet. Ndërkaq, kreu i LSI-së, Meta ka shprehur shqetësimin e tij edhe sa i përket komisionit të reformës zgjedhore dhe mënyrës se si po funksionon kjo tryezë. Megjithatë, shtoi Meta, “shpresojmë të kemi gjithë përfshirje dhe konstruktivitet”.
Para pak ditësh partitë e vogla të pranishme në tryezën e reformës zgjedhore janë shprehur të pakënaqura për mënyrën se si po funksionon kjo tryezë”. Deklaratat e tij, Meta i bëri gjatë ceremonisë së 105 vjetorit të krijimit të Shoqatës “Tomorri”.
I shoqëruar nga deputeti dhe njëkohësisht Ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës Nasip Naço, Ilir Meta ka vlerësuar kontributin dhe vlerat e shquara të kësaj shoqate, e cila prej më shumë se një shekull ka luajtur një rol tepër të rëndësishëm në lëvizjet patriotike në Shqipëri. Më pas, Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta ka theksuar se, “është koha që të intensifikohet puna për rritjen e traditës si vlerë kombëtare jo me cilësitë e ngushta të krahinizmit, por me vlerat e përgjithshme, pasi bekimi dhe tradita e Malit të “Tomorrit” e ka kthyer këtë zonë tashmë një zonë pelegrinazhi për të gjithë besimtarët në të gjithë botën”.

A është e gatshme Lëvizja Socialiste për Integrim që të pranojë zotin Islami, në rast të një vendimi nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste për përjashtimin e tij?
Nuk dëshiroj të flas në emër të zotit Islami sepse nuk mund ta bëj këtë gjë dhe së dyti, nuk mund ta besoj që kjo gjë mund të ndodhë, sesi mund të ndodhë një përjashtim i tillë.

A është e hapur LSI për ta pranuar?
Nuk dëshiroj të shprehem për këtë çështje. Lëvizja Socialiste për Integrim ka strukturën e saj për cilindo që dëshiron të aderojë por unë nuk e besoj sesi mund të ndodhë një përjashtim në jetën politike pas 21 vitesh pluralizëm politik dhe demokraci, aq më tepër në Partinë Socialiste.

Kjo nuk është hera e parë në fakt, edhe në 2007 janë përjashtuar 5 deputetë të Partisë Socialiste për shkelje të vendimit për votimin e Presidentit Topi...
Po unë nuk e di që zoti Islami të ketë bërë ndonjë gabim apo ndonjë faj të tij përveçse ka shprehur mendimet e tij, të cilat në fakt pikërisht sot i ka përqafuar vetë lidershipi i Partisë Socialiste. Pra, alternativën e zotit Islami përgjatë këtyre dy viteve, tani e ka përqafuar, e ka përvetësuar lidershipi i Partisë Socialiste, atëherë si mund të përjashtohet një njeri, i cili për dy vjet mbajti një linjë politike tepër pro evropiane, një linjë, e cila po të ishte përqafuar që atëherë nga lidershipi socialist, Shqipëria do të kishte fituar statusin e vendit kandidat që para dy vitesh. 

A e cilëson LSI tryezën e Reformës Zgjedhore, një takim bilateral ndërmjet PD-PS, duke qenë ka pasur pakënaqësi nga partitë e tjera?
Ka një inerci ndoshta bipartizane nga komisionet e kaluara, por unë shpresoj që të ketë reflektime dhe të jetë shumë e hapur, shumë gjithëpërfshirëse dhe konstruktive sepse dihet që reformat që ka bërë vetëm PS-ja me PD-në gjithmonë kanë sjellë probleme të cilat në radhë të parë i kanë krijuar vetë ato pas zgjedhjeve.

Si e konsideroni deklaratën e zotit Nano për të kandiduar për postin president? A është kandidatura më e mirë?
Jemi tepër herët për të folur për këtë çështje. Në kohën e duhur do të shprehemi. Natyrisht që ai ka vlerat e tij si politikan përgjatë këtyre dy dekadave.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›