Basha: Qyteti nis nga pragu i derës së çdo qytetari - trefishim të investimeve publike

“Buxhetimi me pjesëmarrje”. Bashkia e Tiranës nis konsultimet me qytetarët për projektbuxhetin e vitit 2012
Bashkëbisedimi i kryebashkiakut Basha nisi nga minibashkia nr 5, për të vijuar në të gjitha njësitë bashkiake të kryeqytetit. Ai garantoi qytetarët për rritjen e investimeve publike, për të cilat tha se do jenë zëri kryesor në buxhetin e vitit të ardhshëm, ndërsa do të rekrutohen shpenzimet për personelin duke reduktuar numrin e tyre. 50 për qind e investimeve të Bashkisë do të jenë tërësisht të reja, ndërsa 5 për qind do të jetë vazhdimi dhe përfundimi i investimeve të nisura më herët. Ai premtoi buxheti prej 70 milionë dollarë, parashikon ndërtimin e rreth 65.000 m2 rrugë, prej të cilave 33.000 m2 rrugë të reja; do të rikonstruktohen rreth 153.000 m2 rrugë ekzistuese dhe 79.000 m2 trotuare si dhe do të ndërtohen dy ura të tjera mbi Lanë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi se buxheti i vitit 2012 i përmbahet plotësisht filozofisë qytetare, se qyteti nis nga pragu i derës së çdo qytetari. Në këtë sens, ai garantoi qytetarët se s’do ketë rritje taksash dhe tarifash për biznesin dhe familjet, por synohet zgjerimi i bazës së tatimpaguesve
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka nisur dje konsultimet me qytetarët për projekt – buxhetin për vitit 2012. Konsultimet kanë nisur me njësinë bashkiake numër 5 dhe do të vijojnë me të gjitha njësitë e tjera. Rritja ekonomike dhe punësimi, cilësia e jetës dhe infrastruktura janë shtyllat kryesore të projekt -buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2012 i cili është rreth 70 milionë dollarë. Në buxhet parashikohet trefishim i investimeve publike, krahasuar me periudhën më të mirë të investimeve publike të Bashkisë së Tiranës në këto 20 vite dhe shpërndarje e tyre anembanë qytetit.
Ky buxhet i përmbahet plotësisht filozofisë qytetare, që qyteti fillon nga pragu i derës së çdo qytetari.
Sipas kryetarit të Bashkisë Lulzim Basha ky buxhet nuk ka të përllogaritur asnjë lloj rritje takse apo tarife por ka si synim të gjenerojë më shumë të ardhura nëpërmjet shtrirjes së bazës fiskale në mënyrë të drejtë anë e mbanë qytetit. Zoti Basha tha se 50 për qind e investimeve që Bashkia synon të ndërmarrë vitin e ardhshëm do të jenë tërësisht investime të reja, projekte të nisura nga fillimi, ndërsa 50 për qind do të jenë për projektet që që janë gjetur të nisura.
“Në total janë parashikuar 100 hektarë rikualifikime urbane nga këto do të veçoja ndërtimin e 65 mijë metra katrorë rrugë nga të cilat 33 mijë metra katrorë do të jetë rrugë tërësisht të reja. Rikostruksionin e 153 mijë meter katrorë rrugëve egzistuese dhe 79 mijë metra katrorë trotuarë. Ndërtimi e dy urave , urës së Shkozës dhe urës tjerër që ka lidhje me Njësinë 5, këtu tek Vasil Shanto për të zgjeruar atë dhe për ta bërë më të përshtatshme për trafikun”, tha Basha.
Vetëm në Njësinë Bashkiake numër 5 është parashikuar ndërtimi dhe rikonstruksioni i 7 rrugëve.
Në këtë buxhet parashikohet një zë i veçantë për rritjen e sigurisë në rrugë dhe këtu jo vetëm investimet klasike si korsitë e dedikuara, sinjalistika e ndriçimi por edhe nisja e një projekti për pajisjen me kamera automatike të kryqëzimeve kryesore për vëzhgimin në kohë reale të trafikut dhe të incidenteve. Investimet në infrastrukturën arsimore zënë një vend të veçantë në buxhet, ku është parashikuar ndërtimi i 4 shkollave të reja 9-vjeçare, 2 shkollave të mesme, 3 kopshteve dhe 2 çerdheve.
Basha tha se “paralel me buxhetin dhe mundësitë për të mbështetur këto objekte, ne do të identifikojmë troje dhe objekte për ndërtimin e 16 shkollave 9 vjeçare dhe të mesme dhe për të gjithë rrjetin e kopshteve dhe çerdheve për të kënaqur nevojat dhe kërkesat e projektuar të qytetarëve të Tiranës deri në vitin 2020 dhe për t’i ndërtuar këto brenda 24-30 muajt e ardhshme”.
Përveç bonuseve financiare për nxenesit e shkëlqyer, Bashkia parashikon hapjen e shkollave verore për fëmijët.
“Shkollat verore të cilat do të bëjnë të mundur që edhe fëmijët e atyre prindërve që nuk kanë mundësi që gjatë verës përveç pushimit t’i ofrojnë atyre mundësi mësimi të një gjuhe të huaj apo të një lëndë të veçantë, këtë do ta marrë përsipër rrjeti ynë arsimor nëpërmjet shkollave verore. Sigurisht që ka edhe avantazh social këtu veçanërisht për fëmijët e prindërve të cilët janë në kushte të tilla punësimi që s’kanë mundësi për t’iu dedikuar fëmijëve gjatë muajve të verës apo për ata që kanë prindër një ose të dy pa punë”, tha Basha.
Vëmendje të veçantë Bashkia i ka kushtuar mbështetjes me fonde të politikave të saj sociale. Kështu parashikohet ngritja e 6 qendrave të reja sociale, bonusi i qerasë për familjet në nevojë. Janë parashikuar lehtësira fiskale për kategoritë në nevojë, pensionistët dhe veteranët. Programi i Integrimit të të Pastrehëve në 2012, do të fillojë funksionimi i banesave sociale, sikundër do të bëhen studime dhe projektime për ndërtimin e banesave të reja sociale nëpërmjet partneritetit publik-privat.
“Për këtë arsye buxheti do të mbështesë edhe aktivitetin parapërgatitës për evidentimin e trojeve publike ku në partneritet me sektorin privat dhe në përputhje me planin urbanistik do të nisë edhe ndërtimi i apartamenteve sociale të paktën 600 prej tyre brenda vitit të ardhshëm buxhetor”, tha Basha .
Në projektin për zhvillimin ekonomik dhe punësimin energjitë janë fokusuar tek projekti i rigjenerimit ekonomik të Tiranës nëpërmjet rigjenerimit të biznesit në Tiranë. Kjo është arsyeja sipas Bashës pse u hoqën taksat dhe tarifat e tepërta dhe siguroi se do të vijojë reduktimi i tyre.
“Brenda dy javësh në Këshillin Bashkiak ne do të bëjmë një propozim për të gjitha bizneset e reja që punësojmë më shumë se 50 persona nga lista e të papunëve të Tiranës, ne do të eliminojmë të gjitha taksat e tarifat vendore ndërsa të gjitha ata që punësojnë mbi 75 vetë në sektorin e ndërtimit ne do të ulim me 30 edhe taksën e ndikimit në infrastrukturë e cila është një nga taksat kryesore kontributore e Bashkisë”, tha Basha.
Aplikim online për lejet dhe licensave është një tjetër reformë e rëndësishme që parashikohet nga Bashkia.
Vitin e ardhshëm jo vetëm për shkak të 100 vjetorit të pavarësisë por edhe si një përpjekje për t’i dhënë turizmit rolin që i takon në Tiranë, janë parashikuar festivale të ndryshme që nga ato të kuzhinës apo të artizanatit, por edhe rikualifikimi i disa zonave historike të qytetit të Tiranës, siç është qendra e vjetër e Tiranës që njihet si blloku i Toptanasve. Sporti nuk ka mbetur jashtë vëmendjes së buxhetit. Kështu në vitin e ardhshëm Bashkia ka rezervuar 80 milionë lekë për klubin e futbollit të Tiranës por edhe fonde te tjera për aktivitete të tjera sportive.