Topalli në Shkodër: Ne nuk bëjmë marrëveshje me krimin e mafian, pushteti del vetëm nga vota e lirë
“Ultimatumi i Edvin Ramës është ultimatumimi që ai bën kundër sistemit demokratik, kundër shtetit ligjor, shtetit të së drejtës, është ultimatum ndaj 20 mijë komisionerëve dhe numëruesve të PS-së”. Kështu deklaroi sot Kryetarja e Kuvendit, njëherësh Nënkryetarja e PD, Jozefina Topalli nga Kuvendi i Partisë Demokratike, në Shkodër. Në fjalën e saj Kryetarja e Kuvendit ndër të tjera tha: Vetëm gjatë këtyre dy muajve të mandatit të dytë arritëm të kemi datën më të rëndësishme në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, 16 Nëntorin. 16 nëntori është një datë e jashtëzakonshme. Dita kur 27 ministra të qeverive të BE-së, qeveri të majta dhe të djathta, i thanë Shqipërisë: “Ti ke kaluar provën e zgjedhjeve. Ti ke kaluar shkëlqyeshëm provën e zgjedhjeve që plotësuan kushtet kryesore të OSBE/OHDIR” .
Kryetarja e Kuvendit duke analizuar zhvillimet e fundit politike, tha se PS hyri në një krizë të thellë. “Ai nuk do të respektonte më statutin, i cili thoshte se kur kryetari i partisë humb zgjedhjet ai duhet të largohet nga skena politike. Ai shkeli nenin e këtij statuti, me lehtësinë më të madhe”. Kryetarja e Kuvendit i cilësoi si qesharake deklaratat e Ramës, dhe siç u shpreh ajo ultimatumet ndaj shqiptarëve janë të papranueshme, për qyterët e lirë të një kombi i lirë, anëtar i NATO-s. “Ultimatumin që bën Edvin Rama është në radhë të parë ultimatum ndaj 20 mijë komisionerëve dhe numëruesve të PS-së, është ultimatum kundër gjykatës, kundër shtetit ligjor, ultimatum që i bën shtetit të së drejtës.
Në cilin vend të botës ndodh që t’ju bëhet ultimatum vendimeve të gjykatës. Në cilin vend të botës, humbësi mund të kërkojë pushtet? Vetëm me teleskop ta shohë pushtetin pa vota, ne nuk bëjmë marrëveshje me krimin, ne nuk bëjmë kompromis me mafien, nuk bëjmë komopromis në kurriz të kushtetutës. Më thoni cili është ai shqiptar që rreh dhe dhunon nënën e tij dhe guxon të thotë se po i prekin jetën private. Çfarë shqiptari është ai që rreh si kafshë të gjitha gratë dhe partneret e tij. Dhe jo në shtëpi , por jashtë dhe mund të guxojë të thotë se po më prekni jetën private”. Duke iu referuar rezultateve të zgjedhjeve të 28 qershorit, Kryetarja e Kuvendit tha se shqiptarët me vullnetin e tyre nëpërmjet votës së lirë, e nxorrën Edvin Ramën humbës. “Dhe që nga momenti që ai doli humbës ai ka marrë inat të madh, ka filluar të urrejë shqiptarët dhe mendon se mund t’i nënshtrojë ashtu siç ka bërë me atë që e ka sjellë në jetë”. Ky zotëri që ka filluar tamam siç na thonin dikur, në njërën dorë pushkën dhe në tjetrën kazmën. Gramoz Ruçi thoshte 20 vjet më parë: pushteti del nga gryka e pushkës. Pushteti del vetëm nga vota, nga zgjedhjet e lira, nga zgjedhje me standartet e OSBE/OHDIR”.
Duke theksuar se Edvin Rama mbetet kundërshtari më i fortë i integrimit euro-atlantik të Shqipërisë, Kryetarja e Kuvendit tha se Rama ka deklaruar se Shqipëria në NATO do të jetë një problem për të gjitha vendet e tjera. “Të njëjtën gjë po bën dhe tani. Ka dërguan në Parlamentin Europian djalin e Sulejman Bushatit e ndonjë tjetër dhe ju thotë atyre, mos ngrini dorën për të votuar rezolutën për të hequr vizat. Në 8 dhjetor 1990 u rrëzua diktatori, në shesh ishin të gjithë, ishin të PS dhe të PD-së, ishte gjithë Shqipëria, ishin gjithë shqiptarët. Ajo ditë ka qënë ditë e jashtëzakonshme, dita më e gëzueshme e çdo shqiptari, por për Gramoz Ruçin ishte një ditë morti, ishte ditë morti për Skënder Gjinushin, Xhelil Gjonin, për Sulejman Bushatin, Hamit Beqjan, Kristaq Ramën dhe të gjithë shokët e tij. Ne i themi Edvin Ramës ta harrojë :Marëveshje me krimin, me interesat e krimit nuk ka! Ultimatumet mbi vendimet gjyqësore nuk pranohen, ultimatumet ndaj shqiptarëve janë të papranueshme, janë qesharake, janë komedi. Cili shqiptar mund të ketë frikë, e di sa mund të kenë frike shqiptarët me ultimatumet e Edvin Ramës Gramoz Ruçit në vitin 2009? Aq sa mund të kenë frikë francezët, apo gjermanët apo hollandezët që as s’ia dinë as emrin. Aq sa mund të kenë frikë qytetarët e lirë të një kombi të lirë, siç është Shqipëria”.
...