E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Obama, shpresë për SHBA dhe mbarë njerëzimin

 

ADI SHKEMBI

Presidenti Obama përfaqëson jo vetëm gjithë Amerikën, por një shpresë të madhe për një botë paqësore. Pak orë pas përfundimit të ceremonisë së marrjes së detyrës nga Barak Obama, kreu i LSI-së, Ilir Meta, rrëfen në një intervistë për gazetën "Panorama" orët e kësaj ngjarje të rëndësishme jo vetëm për vendin përtej Atlantikut. Zoti Meta, si e përjetuar ceremoninë e marrjes së detyrës nga ana e Presidenti Obama?
Ishte një kënaqësi e veçantë për të marrë pjesë në një ceremoni të jashtëzakonshme, për më tepër që është hera e parë për mua të merrja pjesë në ceremoninë e marrjes së detyrës të një presidenti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por kënaqësia është e dyfishtë, duke pasur në konsideratë edhe atë çka Presidenti i sapoinauguruar Barak Obama përfaqëson jo vetëm gjithë Amerikën, por mbarë njerëzimin, një shpresë të madhe për një botë më paqësore, më të qëndrueshme, më demokratike, e cila padyshim që do të jetë produkt i një Amerike të tillë në radhë të parë, një Amerike që bashkohet ndaj sfidave, sikurse është vetë shembulli që ka sjellë Presidenti i sapoinauguruar edhe përmes përzgjedhjes që ka bërë në kabinetin e tij. Ai ka zgjedhur figura tepër përfaqësuese, personalitete të fuqishme, qoftë të trashëguara nga kabineti i Presidentit Bush si sekretari i Mbrojtjes, por edhe figura të tjera që kanë rivalizuar fuqishëm me të si Sekretarja e Shtetit, Hilari Klinton.
Përse preferuat ta ndiqnit nga afër këtë ceremoni? Kujtoj që nga dy forcat e mëdha politike ishin zonja Topalli dhe zonja Leskaj...
Mendoj se duke qenë që kemi të bëjmë me një eveniment të veçantë dhe e gjykova tepër të arsyeshme për të qenë këtu në Uashington në një ditë të rëndësishme. Besoj se edhe takimet e tjera që kam në Uashington këto ditë, kanë rëndësinë e tyre, në kuadër të një vizite, e cila zhvillohet në një moment kur ende sesioni politik nuk është ndezur aq sa duhet.
Nga pikëpamja e organizimit si e përjetuat rrotacionin e pushtetit nga republikanët te demokratët?
Këtu duket si një ditë e madhe, jo si një ditë kur ndërrohet pushteti nga e djathta tek e majta, përkundrazi duket si një ditë e një konsensusi shumë të gjerë mbarëkombëtar, pasi Obama sjell vlera të cilat i bashkojnë amerikanët dhe nuk vihen re ndarje të tilla këtu.
Çfarë prisni realisht nga Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe duke u fokusuar te fjalimi i tij i parë, a mendoni se mesazhet e tij kanë lidhje edhe me politikën shqiptare?
Pa dyshim, për të gjithë ata që dëshirojnë të mësojnë nga modelet pozitive, ka shumë për të mësuar. Këtu do të veçoja në radhë të parë mesazhet për bashkëpunim të gjerë brenda vendit, për një bashkëpunim të gjerë me të gjithë botën demokratike. Një mesazh shumë i rëndësishëm ishte pikërisht ai se prosperiteti i vendit nuk varet thjesht nga rritja e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto, por nga zgjerimi i mundësive për qytetarët për të gjetur veten e tyre dhe për të afirmuar talentin e tyre, mesazh të cilin ne duhet ta kemi shumë në konsideratë në Shqipëri, pasi shpeshherë mburremi me treguesit statistikorë të rritjes ekonomike dhe nuk bëjmë një analizë se sa ndikon kjo në përmirësimin e jetës së shumicës së shqiptarëve dhe shumë mesazhe të tjera. Por ajo që vlen së tepërmi, është karakteri konstruktiv i Presidentit Obama si politikan, është modeli që ai përfaqëson si një politikan që bashkon, që nuk përjashton, që bashkon brenda partisë së tij në radhë të parë dhe njëkohësisht që bashkon popullin amerikan, në vlerat që përfaqëson njëkohësisht dhe qëllimet ku synon t'i bashkojë amerikanët dhe pa dyshim Obama është mjaft i mirëpritur jo vetëm nga amerikanët, por nga e gjithë bota demokratike, e në veçanti nga Evropa, e cila synon të forcojë bashkëpunimin me Amerikën për të përballuar sfidat e përbashkëta.
Mendoni se do të ketë një ndryshim të politikës së zotit Obama kryesisht në lidhje me Ballkanin, duke pasur parasysh disa analiza se ai do të fokusohet në politikat e brendshme të Amerikës?
Kjo pyetja juaj më kujton vitin 2000, kur unë isha kryeministër dhe në Amerikë u ndërruan presidentët, u largua presidenti Klinton dhe erdhi presidenti Bush dhe më kujton disa mitingje që zhvillonte PD-ja në atë kohë kundër qeverisë që unë drejtoja, me idenë që me ardhjen e Bushit çdo gjë do të ndryshonte në Shqipëri dhe se presidenti Bush do mbante krahun e Partisë Demokratike. Në fakt mendoj se dolën të gjithë mirë, pasi pikërisht një muaj para zgjedhjeve të qershorit unë pata kënaqësinë të pritesha në Shtëpinë e Bardhë nga Presidenti Bush, i cili ishte zgjedhur vetëm pak muaj më parë dhe e mora këtë shembull për të theksuar se marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Shqipërisë apo Ballkanit nuk mund të ndryshojnë për shkak të ndryshimit të Presidentëve. SHBA ka politikën e saj në Ballkan, ajo është një politikë e konsoliduar dhe pa dyshim që kjo politikë do të vazhdojë. Për ne është e rëndësishme që Ballkani të jetë gjithmonë në qendër të vëmendjes së politikës amerikane, gjë që nuk varet vetëm nga dëshira e SHBA, por mendoj se varet shumë edhe nga sfidat që ka Amerika në gjithë botën. Duke qenë vendi më i fuqishëm në botë, siç e përmendi vetë sot Presidenti Obama, kuptohet që ka prioritetet e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›