BERZH: Në 2009 rritje vetëm 4%
Fabiola Çela
Ky vit duket se do të jetë një vit krize edhe për ekonominë shqiptare. Si pasojë e krizës globale financiare, rritja ekonomike e vendit do të tkurret, për 2009-ën rritja do të jetë vetëm 4 për qind. Këtë herë deklarata është dhënë nga vetë ekonomistët e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Në raportin e tyre, ndërkombëtarët kanë rekomanduar edhe hapat që duhen ndjekur për kapërcimin e krizës.
BERZH
Sipas raportit më të fundit të BERZH-it, rritja ekonomike në rajonin ku ajo vepron pritet të ngadalësohet dukshëm në vitin 2009, si pasojë e ngadalësimit të ekonomisë botërore dhe e turbulencave në tregjet financiare si dhe nxiti vendet ku investon që t'i japin prioritet të lartë stabilitetit të sistemit të tyre bankar. Sipas këtij raporti, rritja në Shqipëri pritet të arrijë 6.1 për qind në vitin 2008, nga 6 për qind në vitin 2007. Ndërsa në vitin 2009, rritja pritet të arrijë në 4 për qind. Ivo Germann, Principal Economist i BERZH-it për Shqipërinë u shpreh: "Shqipëria po vazhdon të ketë një progres të mirë në disa fusha, por nevojiten më shumë përpjekje për të përmirësuar mjedisin e biznesit dhe rritjen e cilësisë së infrastrukturës për të ruajtur në të ardhmen rritjen mbresëlënëse ekonomike të viteve të fundit. Raporti i tranzicionit thotë se ekziston një rrezik që rritja ekonomike në rajon në vitin e ardhshëm të jetë edhe më e ulët, nëse financimet e jashtme zvogëlohen papritur. "Disa vende në veçanti vazhdojnë të kenë llogari korente me deficite të mëdha të kombinuara me borxhe të larta në monedhë të huaj dhe për këtë arsye janë të prirur të vuajnë nga ulje më të forta të prodhimit të brendshëm nëse hyrjet e kapitalit zvogëlohen shpejt". Sipas këtij raporti të BERZH-it, përkeqësimi në të gjithë mjedisin financiar mund të rezultojë tani në një kontraktim të zgjatur dhe të rëndësishme në sektorin e kredive. "Nëse ndodh kështu, padyshim që pasojat e mbi rritjen e përgjithshme të ekonomive në rajonin e tranzicionit do të jenë të rënda", parashikon raporti.
Por jo gjithçka është kaq e zymtë. Në raport theksohet se ka faktorë të ndryshëm që mund ta ndihmojnë rajonin për të parandaluar këtë skenar pesimist, ose të paktën ta ndihmojnë atë që të përballojë efektet e krizës. Kështu nivelet e borxhit të qeverive të rajonit kanë rënë vazhdimisht që në vitin 2000, duke i dhënë më shumë fleksibilitet politikave qeveritare nëse do të nevojiten më shumë ndërhyrje nga qeveritë. Kushtet e biznesit në përgjithësi janë përmirësuar në vitet e fundit dhe tregjet e punës kanë qenë relativisht fleksibël, gjë që do krijonte kushtet për një rimëkëmbje të shpejtë dhe rikthimit të rritjes ekonomike.
Edhe Bode e pranon: Vendi po preket nga kriza ekonomike
Kreu i Financave, Bode, ka pranuar dje se edhe ekonomia shqiptare është prekur nga kriza ndërkombëtare financiare. "Kriza financiare në sistemin financiar botëror nuk mund të mos japë efekte edhe në ekonominë shqiptare, aq më tepër kur tërësisht bankat që veprojnë në tregun shqiptar, janë banka me kapital të huaj, janë degë apo bija të bankave që operojnë në ekonomitë e vendeve të BE-së apo vendeve të tjera, të cilët duam apo s'duam ne janë përfshirë në një krizë financiare", ka deklaruar Bode. Sipas tij, ulja e nivelit apo rritja e kujdesit të bankave për të dhënë kredi, sidomos ndaj ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përbën një element shqetësues, ndaj dhe duhen gjetur instrumente për të mbështetur këto ndërmarrje në këtë periudhë të tronditjes së sistemit financiar botëror. Deklarata e ministrit të Financave u dha gjatë ceremonisë së organizuar për fillimin të një prej programeve më të rëndësishme mes qeverisë italiane dhe shqiptare, "Programi për Zhvillimin e Ndërmarrjeve të Vogla e të Mesme" me vlerë 30 milionë euro, të dhëna nga qeveria italiane. Ndër kriteret për marrjen e kredisë nga ana e SME-ve referuar programit, i cili nisi sot zbatimin e tij janë; shoqëria të jetë e regjistruar në Shqipëri; jo më pak se 51 për qind e kapitalit themeltar të shoqërisë të zotërohet nga shtetas shqiptarë; shoqëria të ketë një qarkullim vjetor jo më të lartë se 5 milionë euro; shoqëria të ketë një numër punonjësish jo më shumë se 80.
Ruli: 95% e sektorit privat përbëhet nga SME-të
Gati 95 për qind e sektorit privat në Shqipëri përbëhet nga SME-të. Sipas ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli, ky program synon t'iu lehtësojë aksesin me kredi të bankave pikërisht këtyre subjekteve. Ndërkohë që edhe Krijimi i Fondit të Garancisë do të shërbejë si instrument që do t'i japë investimin bankave për të lehtësuar kreditimin e këtyre subjekteve nëpërmjet mekanizmit të garantimit të riskut të kredisë. "Qeveria shqiptare duke vlerësuar nevojën gjithnjë e në rritje të biznesit shqiptar e në veçanti të SME-ve për kredi dhe asistencë teknike, prej më shumë se dy vjetësh në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme italiane dhe ambasadën italiane në Shqipëri ka arritur të finalizojë marrëveshjen qeveritare dhe financiare që i hap rrugë zbatimi këtij programi", u shpreh Ruli. Sipas tij, Italia është partner i rëndësishëm strategjik.