E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lohan i dorëzon Topit raportin

Ambasadori i KE-së, Helmut Lohan, i dorëzoi dje Presidentit të Republikës, Bamir Topi, raportin vjetor të përparimit që ky komision ka hartuar për Shqipërinë. Gjatë takimit të djeshëm, Presidenti Topi falënderoi ambasadorin Lohan për mbështetjen e vazhdueshme e të gjithanshme që Komisioni Europian i ka dhënë Shqipërisë në procesin e përmbushjes së standardeve dhe kërkesave për integrimin në familjen e madhe europiane, ku vendi ynë dhe populli shqiptar aspirojnë të jenë pjesë me arritjet dhe vlerat e tyre më të mira. Gjithashtu, bëhet e ditur se Presidenti ka vënë në dukje përpjekjet dhe reformat e ndërmarra nga shteti shqiptar me këtë asistencë për forcimin e demokracisë në vend, konsolidimin e institucioneve, forcimin e shtetit ligjor, pavarësinë dhe profesionalizmin e medias, respektimin e të drejtave të njeriut dhe nënvizoi se ne jemi të vetëdijshëm për punën dhe sfidat e reja që na presin, për përballimin e së cilave kemi vullnetin dhe angazhimin maksimal. Nga ana e tij, ambasadori Lohan, pasi i ka dorëzuar kreut të shtetit shqiptar raportin vjetor të përparimit të KE-së, i ka shprehur kënaqësinë për këtë takim, duke vënë në dukje rolin pozitiv të Presidentit si autoriteti më i lartë moral i vendit dhe si garantues i integritetit të Kushtetutës dhe të ligjit. Ambasadori Lohan ka vlerësuar gjithashtu edhe rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon për ruajtjen e paqes dhe qëndrueshmërisë në Ballkan, si edhe në arenën ndërkombëtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›