E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Opozita të bëhet pjesë e Komisionit Hetimor

Gjatë mbledhjes së kryesisë së LSI-së, Meta tha se "nuk kuptoj sesi ata të cilët për një vit e gjysmë janë çjerrë për gjoja transparencën, pse kanë frikë se me kë kanë biseduar gjatë 5 orëve të sulmit kundër rendit kushtetues".

Sipas tij, në rast se gjithsecili ka bërë detyrën dhe është sjellë si qytetar i denjë i këtij vendi, duhet të shkojë të bashkëpunojë vetë me Komisionin Hetimor Parlamentar.

Kreu i LSI-së e cilësoi manifestimin e opozitës më 28 janar si "manifestim hipokrizie dhe jo qytetarie". "Në rast se kryetari i PS-së do të bënte thirrje para 21 janarit që të mos përdorej dhunë, nuk do të kishim tre njerëz të vrarë dhe asnjë të lënduar", u shpreh ai.

Gjithashtu, Meta përshëndeti angazhimin e SHBA-ve për të asistuar hetimin e kësaj çështjeje, pasi sipas tij, zhvillimet e pas 21 janarit kanë ngritur pikëpyetjet e tyre mbi objektivitetin dhe seriozitetin e procesit të hetimit i cili patjetër që duhet të hetojë jo vetëm pasojat, por shkaqet, nxitësit, frymëzuesit dhe inspiruesit e dhunës.

Ndërsa duke u ndalur në zgjedhjet vendore të 8 majit, kreu i LSI-së deklaroi se "është detyrë e çdo force politike që të marrë pjesë në zgjedhje". Sipas tij, axhenda e vendit nuk mund të shmanget nga askush që ka frikë nga procesi zgjedhor dhe që është mësuar që zgjedhjet t’i fitojë në tavolinën e kulisave dhe si dhuratë nga të tjerët.

Meta shprehu sërish angazhimin e LSI-së për të kontribuar në plotësimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it, për zgjedhjet vendore. "Edhe në rast se Kodi nuk ndryshon për shkak të mungesës së vullnetit nga ana e opozitës e cila në fakt është arkitektja e Kodit në fuqi, përsëri nuk është një shqetësim shumë i madh, sepse në fund të fundit është Kodi me konsensual që është miratuar ndonjëherë në Shqipëri me 120 vota", u shpreh Meta.

Duke iu drejtuar strukturave të LSI-së për përgatitjen e tyre në kuadër të zgjedhjeve vendore, Meta i ka kërkuar kryesisë që të filloje sa më shpejt puna për evidentimin e kandidatëve për këshilltarë, kryetare komune dhe bashkie në të gjithë Shqipërinë, brenda 15 shkurtit.

Në përfundim, Kryesia caktoi Ylli Manjanin si sekretar për çështjet zgjedhore dhe deputetin Vangjel Tavo, sekretar të qarkut të Gjirokastrës. /Start/

                                                                                             2011-01-30 18:18
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›