Meta: Opozita të mos abuzojë me vullnetin tonë për konsensus. Zaganjori, kandidaturë dinjitoze
Ilir Meta duket se është bërë personazhi kryesor në diskutimet për zgjedhjen e presidentit të ri. Ndërsa deri më tani duket se ai ka ushtruar presion mbi mazhorancën, duke folur për Top Channel, Meta i është kthyer edhe opozitës, duke thënë se nuk duhet të abuzojë me vullnetin e mazhorancës për konsensus.
“Ne do të vazhdojmë të zhvillojmë dhe forcojmë konsensusin, brenda maxhorancës, por edhe kontribuojmë për një konsensus sa më të gjerë mes maxhorancës dhe opozitës. Unë shpresoj që opozita këtë mundësi të mos e keqpërdorë dhe të mos e shohë si një dobësi të maxhorancës, por si një vullnet të saj për të përfshirë edhe opozitën për një zgjidhje konsensuale“, tha Meta.
Megjithatë Meta mbrojti kandidaturën e gjykatësit Xhezair Zaganjori, e cila ende nuk ka marrë formë zyrtare.
“Unë mendoj se kemi një kandidat, i cili përsa i takon vlerave të tij është i pakundërshtueshëm. Është e rëndësishme që të eliminohen ato paragjykime, të cilat do ta përmbyllnin të gjithë këtë proces në një mënyrë dinjitoze për të gjithë“, tha Meta.
Ndërsa duke folur për studimepolitike.com, Ilir Meta nuk mohoi mundësinë e propozimit të një kandidati për president nga LSI. I pyetur nëse do të ketë një kandidaturë nga kjo parti, Meta nuk pohoi, por as nuk e mohoi këtë mundësi. Ai u shpreh, se forca politike që drejton synon një kandidat konsensual dhe jo parcial. I pyetur nëse LSI po bën një lojë të dyfishtë ndërmjet PS dhe PD, Meta tha se LSI po punon me përgjegjësinë e duhur për të arritur në momentin e zgjedhjes së presidentit konsensual në funsksion të përgjegjësisë së politikës ndaj vendit.
Zoti Meta po flitet në ambjentet politike, se LSI do të propozojë një kandidat konkret për president nga radhët se saj. Sa e vërtetë është kjo?
LSI synon emra konsensualë dhe jo emra parcialë. Mund të them vetëm, se kemi deklaruar dhe do vazhdojmë ti qëndrojmë idesë së LSI-së, për zgjedhjen e një presidenti konsensual.
Cili do të jetë roli i LSI në këto zhvillime, pasi nga shumë faktorë roli juaj po lexohet si i dyanshëm midis PS dhe PD?
Ne kemi besim se do të arrihet konsensus dhe se jemi të prirur të punojmë për arritjen e këtij konsensusi. Vullneti ynë është për të arritur pikërisht konsensus për zgjedhjen e presidentit të republikës. Ne shpresojmë, që do të arihet konsensusi dhe po punojmë për këtë.
Ju shpresoni të bashkoni PD me PS në zgjidhjen drejt presidentit konsensual, por duket e vështirë pas dështimit të negociatave dhe raundit të parë të votimit për zgjedhjene presidentit?
Përgjegjësia ndaj vendit dhe integrimit në BE, do të jetë faktori kryersor i bashkimit të faktorëve PD-PS dhe të tjerë, në një qëndrim të vetëm, atë të zgjedhjes së presidentit konsensual.