Meta: Opozita ti drejtohet Venecias
Gjatë një aktiviteti të organizuar nga Qendra e Politikave Europiane në Bruksel, mbi “Sukseset dhe sfidat e Shqipërisë” në integrimin europian, zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, bëri një panoramë të reformave të integrimit të kryera deri tani nga qeveria shqiptare. Meta bëri një ekspoze të rrugëtimit historik të Shqipërisë gjatë 20 viteve të fundit, duke shprehur krenarinë e tij për të qenë pjesë e një brezi që solli ndryshimet e para dhe që e futi Shqipërinë në rrugën e sfidave të integrimit europian. Gjithashtu z. Meta foli rreth rëndësisë që lëvizja e lirë pa barriera vizash ka për qytetarët e Ballkanit dhe veçanërisht për ata të Shqipërisë, duke theksuar se si një shenjë vullneti, Shqipëria i ka hequr vizat me të gjitha vendet e rajonit. “Vetëm përmes përpjekjeve të përbashkëta mund ta transformojmë Ballkanin në një pellg paqeje, stabiliteti dhe prosperiteti, dhe kjo është arsyeja përse ne e meritojmë integrimin europian. Ne nuk duhet të gjykohemi nga paragjykimet e imazheve të së kaluarës, por përmes veprave, përkushtimit dhe kontributit tonë”, tha Meta. Referuar krizës politike, Meta tha se “natyrisht që ka një problem dhe ne nuk kemi asnjë arsye për ta fshehur apo për ta shmangur atë. Përkundrazi, kemi gjithë vullnetin për ta zgjidhur në mënyrë konstruktive”. Ndërsa për çështjen e hapjes së kutive, për të cilat nuk ekziston një marrëveshje për shkak të qëndrimeve të ndryshme lidhur me atë të pajtimit apo jo me Kushtetutën, vijoi Meta, ne e kemi bërë të qartë që rruga e vetme për ta zgjidhur këtë çështje është që opozita t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, dhe të respektojë vullnetin e gjykatës. “Ashtu sikurse kemi qenë të hapur, dhe e kemi bërë të ditur, se ne do ta nxisim opozitën që t’i drejtohet edhe Komisionit të Venecias”, u shpreh Meta.
#