E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Opozita t’i rikthehet debatit politik dhe të marrë përgjegjësitë për integrimin e vendit

Ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta, i apelon edhe njëherë opozitës shqiptare, t’i rikthehet debatit politik në Kuvend dhe njëherazi të kontribuojë për procesin e integrimit të vendit. Gjatë një komunikimi me mediat, zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, e konsideroi dorëzimin e Pyetësorit të Shqipërisë për anëtarësim në BE, si një moment historik. Ai bëri thirrje për bashkëpunimin e të gjitha forcave politike, për finalizimin me sukses të proceseve të integrimit. “Opozita ka mjaft ekspertë që mund të japin kontributin e tyre. Besoj se opozita do reflektojë. Nuk e besoj se opozita do paraqesë si sukses së saj, mosfunksionimin e saj si një opozitë aktive parlamentare që përmbush detyrimet në këtë proces kombëtar. Opozita duhet të drejtojë komisionin parlamentar të integrimit europian”, u shpreh Meta. Zv/kryeministri shtoi se duhet thelluar bashkëpunimi në Parlament e jashtë tij për integrimin në Bashkimin Europian. Ai ka falenderuar ekspertët që kanë punuar në përgjigjet e Pyetësorit dhe theksoi se procesi i integrimit është i pandalshëm, ndaj i rëndësishëm është cilësia. Lidhur me një tjetër çështje të rëndësishme, siç është liberalizimi i vizave, Meta deklaroi se Shqipëria ka përmbushur kriteret dhe do të marrë shumë shpejt aprovimin e Komisionit Evropian.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›