Berisha: Shqipëria vendi më i sigurtë në Evropë, pas goditjes së krimit të organizuar dhe reformave ekonomike

Shefi i qeverisë deklaron për "EurActiv", se vendi ecën i sigurt drejt integrimit në BE dhe se brenda pak muajve pret vendimin për heqjen e vizave dhe statusin e vendit kandidat
Kreu i qeverisë Sali Berisha, deklaron nga Brukseli ku po zhvillon një vizitë zyrtare, se Shqipëria ia ka dalë të luftojë krimin e organizuar dhe ndërmarrjen e një procesi korrekt reformash në fushën ekonomike.
Gjatë një interviste për “EurActiv”, faqja online që pasqyron aktivitetet e Brukselit, Berisha është shprehur se tashmë Shqipëria është vendi më i sigurtë në Evropë, pa fenomene të krimit të organizuar dhe me një ekonomi të shëndoshë, që arriti të përballojë me sukses një nga krizat më të egra me të cilat u përball bota gjatë 2009-ës. Duke folur për “EurActiv”, Berisha tha se mafia shqiptare i përket tani të shkuarës, pasi arrestimet janë kryer në një numër të madh vendesh të Evropës Perëndimore dhe më shumë se 1.000 kriminelë janë dënuar me burg.
Berisha flet gjatë për procesin e integrimit. “EurActiv”, citon se kreu i qeverisë ka kërkuar nga zyrtarët e Brukselit integrimin e Shqipërisë në BE dhe heqjen e vizave në një kohë të shpejtë. Në prag të liberalizimit të vizave, shefi i qeverisë shqiptare, mohon kategorikisht që vala masive e shqiptarëve etnikë nga vendet e rajonit, të cilët kërkojnë azil në vendet e Evropës Perëndimore, të ndikojë në procesin e heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë të Shqipërisë.
Kjo, thotë kryeministri, nuk ka për të ndodhur dhe nuk duhet të shërbejë si një pengesë për heqjen e vizave me BE-në.
“EurAktiv”, është interesuar edhe për projektet e energjisë Bërthamore. Berisha ka deklaruar se Shqipëria është duke shkuar drejt ndërtimit të një centrali nuklear, dhe se ndërprerjet e energjisë elektrike i përkasin të shkuarës.
Berisha ka përmendur si reformë të domosdoshme masat për heqjen e të drejtës së përdorimit të automjeteve shtetërore të një sërë zyrtarësh të lartë shtetëror.
“Deri pak kohë më parë 30 mijë punonjës të administratës civile përdornin makinat zyrtar të cilat kapnin një kosto vjetore prej 19 mijë dollarësh për cdo makinë, ndërkohë që Shqipëria është një ndër vendet më të varfra në Europë. Me inisiativën e tij ky sistem u prish dhe tani janë vetëm 30 shtetarë të cilët kanë të drejtën e përdorimit të makinave zyrtare. Ai gjithashtu pohoi se korrupsionin është crrënjohur dhe investitorët e huaj gëzojnë procedur të thjeshta për fillimin e një biznesi, me një normë tërheqëse të taksës së sheshtë në 10 %”- shkruan “Euroaktiv”, duke cituar kryeministrin Berisha.
Kryeministri Berisha flet edhe për situatën politike në Shqipëri. Ai fajëson opozitën si përgjegjëse kryesore për bojkotin e parlamentit.
I pyetur nga “EurActiv”, për të shpjeguar jetëgjatësisë së tij politike, ai tha se arsyeja për këtë ishte se ai ishte “një kavalier punëtor”, për transformimin e vendit të tij, i cili ishte në një diktaturë të egë deri në vitin 1990-ë.
Kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, ndodhet në Bruksel dhe dje i dorëzoi Komisionerit për Zgjerimin e BE-së dosjen voluminoze të 2284 përgjigjeve të pyetësorit për integrimin europian të vendit.
Axhenda e kryeministrit Berisha vijon sot me takime në Bruksel. Kësisoj, Berisha pritet të takohet me Presidentin e Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy; me presidentin e Komisionit Evropian, zotin Jose Manuel Barroso, si dhe do të zhvillojë një takim e më pas një konferencë për shtyp me Presidentin e Parlamentit Europian, Jerzy Buzek.