Ne e meritojmë Europën
Dje u bë realitet një nga ëndrrat e mëdha të gjeneratës që ka gjalluar midis frikës dhe lirisë. Nuk e dinim që e kishim këtë ëndërr, derisa ndodhi e u bë realitet. Ne, jemi europianë. E bardhë mbi të zezë. Edhe nëse e kishim harruar, Eduart Kukan, kryetari i Delegacionit për Europën Juglindore në Parlamentin Europian, deklaroi dje se Shqipëria i ka plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave. Shqipëria pret një përgjigje pozitive në lidhje me pyetësorin e dorëzuar me sukses nga kryeministri Sali Berisha, komisionerit për zgjerim të BE, Stefan Fyle. Kemi realizuar të gjitha detyrimet. Janë shqyrtuar me ekspertizë një për një të 2284 mijë pyetjet që Komisioni ia dërgoi Shqipërisë, për të cilat u angazhuan rreth 1200 punonjës të administratës dhe ekspertë të ndryshëm.
Megjithëse kanë kaluar 18 vjet qëkur Lëvizja e Dhjetorit shpërthente rrugëve të kryeqytetit, në sheshin Skënderbej, anembanë vendit se: “e duam Shqipërinë si Europa”. Sot kjo aspiratë legjitime po konkretizohet. Sigurisht me hapa jo fort supersonikë, por jemi në rrugë të mbarë. Në fushën e drejtësisë, lirisë e sigurisë kemi bërë progres, kundër atij regresi 50 vjeçar. Progresi është i matshëm në kontrollin e kufijve, sigurinë e dokumenteve, migrimin dhe azilin, si dhe në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit. çdo ditë e më shumë po rikthehemi në origjinën e frymëmarrjes sonë, duke sinkronizuar rrahjet e zemrës me orën e Europës.
Ndërkaq të vetmit që nuk gëzojnë - por me raste edhe protestojnë - sot janë nostalgjikët e regjimit të vjetër komunist ose bijtë e tyre gjenetikë. Natyrisht janë pak, por të kamufluar mirë me ngjyrat ylberiste. Afërmendsh jeta parlamentare pa praninë e opozitës nuk i përmbush parimet e BE-së, të cilat mbështeten në respektimin e Kushtetutës dhe në transparencën sipas frymës europiane. Mirëpo si i bëhet kur kuqalashët e politikës pezake ngelen gjithë ditën duke bërë tifozllëk që të mos hiqen vizat? Dikujt në Partinë Socialiste i ka rënë të fikët kur dëgjoi dy ministra të Jashtëm Europianë të deklarojnë liberalizimin për zonën “Schengen”. Ne nuk e kemi humbur betejën, jemi vonuar ca, por “luftën”
e kemi fituar. Mbetet vetëm siglimi formal i fitores së pritur. E ndërkaq, politika duhet të jetë e përgjegjshme, sipas rekomandimeve të të gjithë miqve tanë europiane.
është e vërtetë: Shqipëria po ndryshon, dhe ky nuk është vetëm një slogan elektoral i PD, por një realitet që po e prek përditë, të gjithë shoqërinë shqiptare. Edhe pse kuptohet, shoqëria jonë është disi e hutuar nga propaganda e kutive, po arrijmë të kuptojmë rëndësinë e liberalizmit të vizave dhe të anëtarësimit me të drejta të plota në bashkësinë europiane. Aty ku edhe e kemi vendin natyral. Kuptohet që me liberalizimin e vizave - të jemi të qartë qysh në krye të herës - kjo nuk do të thotë që shqiptarët do shkojnë të jetojnë ku të duan. Assesi!
Sidoqoftë kemi punuar shumë, jemi lodhur sëbashku në këtë rrugë të vështirë plot aksidente, por gëzimi i paraqitjet se plotësimit të detyrave të shtëpisë ose standardeve duhet të na mbushim së paku me krenari. Jo me iluzione sepse kemi shumë për të bërë, por krenari duhet të kemi.