Reagon OSBE: Opozita po dëmton procesin demokratik

Ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch, deklaron se bojkoti i opozitës po mban peng reformat dhe po vonon procesin e demokratizimit të Shqipërisë. I pranishëm në seancën Plenare Vjetore të Konsorciumit Ndërkombëtar ambasadori Bosch i ka përcjellë apelin opozitës për të reflektuar dhe të vazhdojë betejën e saj në parlament. “Po shfrytëzoj rastin për t’i kërkuar opozitës që të reflektojë gjatë dhe thellë për veprimet e veta, të cilat tashmë de facto po dëmtojnë procesin drejt një sistemi demokratik modern. Duhet bërë e mundur që ata të ndjejnë se pjesëmarrja e tyre aktive dhe e vazhdueshme në Kuvendin e Shqipërisë është e mirëpritur si me fjalë ashtu dhe vepra.- theksoi Bosch. Ambasadori i OSBE-së shprehu shqetësimin se shumë reforma të cilat kanë nisur që vitin e kaluar kanë ngecur dhe mungesa e opozitës në parlament pas zgjedhjeve të përgjithshme, ka shkaktuar vonesa në miratimin e ligjeve për të cilat kërkohet një shumicë votash prej tre të pestave. Pjesa më e madhe e legjislacionit penal kërkon një shumicë të tillë votash, ashtu si edhe ligji i shumëpritur i gjykatave administrative. Bosch vërejti se mungesa e opozitës po bën që shumica e ligjeve të “miratohen pa pasur nivelin e pritshëm të diskutimeve.” Në këtë kuadër ambasadori i OSBE-së i përcolli apelin dhe kreut të qeverisë për të siguruar që “të gjitha ligjet të diskutohen nga të gjithë grupet e interesit para se të miratohen në parlament.”
...