Meta: PD përqendroi shumë pushtete, duhet ekuilibër i ri
Meta: Ata që kritikojnë koalicionin PS-LSI, njerëz të vegjël që nuk dinë të bëjnë politikë
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta reagoi me tone të ashpra ndaj reagimeve të fundit në lidhje me koalicionin PS-LSI. Duke folur para anëtarëve të Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së, Meta i quajti kritikët e koalicionit me PS-në si njerëz të vegjël që nuk dinë të bëjnë politikë. LSI është një parti e pjekur që nuk mund të mbetet peng e së shkuarës, apo të ngacmohet nga mistrecllëqe, që i takojnë njerëzve të vegjël që skanë bërë ndonjëherë politikë, ne krenarë që do sjellim ndryshimin për vendin, tha Meta.
Koalicioni
Duke folur për koalicionin me Partinë Demokratike, Meta e quajti atë si të panatyrshëm, ndërsa theksoi edhe një herë se nuk ka pasur asnjë pakënaqësi me Partinë Demokratike. Ne nuk kemi asnjë qejf mbetje dhe asnjë pakënaqësi me Partinë Demokratike. Ndërsa koalicioni me PS-në nuk është një koalicion i panatyrshëm si ai 4 viteve më pare. Është një koalicion i natyrshëm, deklaroi Ilir Meta. Teksa u ndal tek koalicioni me PS-në, kreu i LSI-së tha se kjo është një mundësi e re për forcën politike që ai drejton për të kontribuar në procesin e integrimit të vendit. LSI përmes këtij koalicioni të ri mund të japë një kontribut më të madh për sa i përket integrimit se sa me qeverisjen e mëparshme. Ky është një koalicion i natyrshëm, janë forca që i takojnë të majtës pavarësisht historisë së ndryshme, kanë qëndrime të përafërta lidhur me historinë, tha Meta. Duke iu referuar të shkuarës mes LSI-së dhe PS-së, Meta tha se nuk ka pasur asnjë ftesë për bashkëpunim nga PS-ja në vitet 2005 dhe 2009. Nuk kemi pasur ftesë nga PS as në 2005 as në 2009. PS e cilësoi LSI një pikë ujë në mes të oqeanit, ndoqi një rrugë të gabuar me Dushkun, deklaroi Meta.
Përqëndrimi i pushteteve
Duke folur në Komitetin drejtues të kësaj force, kryetari Ilir Meta tha se dalja të vetëm në zgjedhje mund të çonte në humbjen e padrejtë të disa mandateve jo vetëm për LSI-në por edhe forcat e tjera të së majtës, në një kohë kur sipas tij vendi ka nevojë për një ekuilibrim të pushteteve. Pasi tre ditë më parë vendosi që pas katër vitesh në krah të së djathtës, të futet në zgjedhjet e 23 qershorit si një forcë e majtë në koalicion me partitë e kësaj familjeje, Meta tha se edhe ndarja e së kaluarës me Partinë Socialiste kishte qenë një zgjedhje e kësaj të fundit, ndërsa u shpreh se marrëveshja me demokratët kishte qenë një lëvizje e detyruar për hir të stabilitetit të vendit Tani, sipas tij rrethanat kanë ndryshuar, duke theksuar se e djathta ka grumbulluar më shumë pushtet seç duhet e se për këtë është i nevojshëm një riekulibrim sipas tij. “Përqëndrimi i pushteteve në dorën e një partie të vetme, natyrisht që nuk është e shëndetshme për demokracinë, por është një shqetësim dhe një problem për të”, tha Meta.
Braçe: PS të ftojë zyrtarisht AK-në në koalicion
Deputeti socialiste Erjon Braçe i pakënaqur nga koalicioni PS-LSI i bëri kërkesë kryesisë socialiste të bëjë aleancë me AK e Kreshnik Spahiut. Kërkesën e tij, Braçe e bëri publike në rrjetin social, Facebook. Duke besuar fort në argumentin e paraqitur në fillimjavë në Kryesinë e PS, “izolimin elektoral të Sali Berishës”: I kërkoj kryesisë së PS; Të shqyrtojë, diskutojë dhe miratojë, një ftesë po aq serioze, konkrete, të barabartë e publike (siç ftesat e mëparshme), ndaj “Aleancës Kuq e Zi”, për ta ftuar zyrtarisht në koalicionin parazgjedhor të opozitës së drejtuar nga Partia Socialiste. Besoj se kjo do të jetë në funksion të zgjerimit të koalicionit aktual me forca të tjera opozitare kundër Regjimit të Sali Berishës, por edhe në funksion të maksimizimit të votave anti-regjim, shkruan Erjon Braçe.