Meta: PD të mos bjerë në nivelin e provokimeve të PS-së
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i ka bërë thirrje Partisë Demokratike të mos bjerë në nivelin e provokimeve të ardhura nga selia rozë. Gjatë një tubimi elektoral në Elbasan, kreu i LSI-së deklaroi se lidershipi i Partisë Socialiste, kërkon të krijojë një situatë artificiale konflikti. Sipas tij, konflikti artificial nuk ekziston tek qytetarët dhe sipas Metës, pavarësisht emocioneve dhe debateve, zgjedhjet e ardhshme do të mbahen në datën e tyre, vitin 2013. “Unë jam shumë i bindur se gjërat po ecin në drejtimin e duhur. Është detyra jonë dhe është detyrë dhe e Partisë Demokratike si forcë kryesore qeverisëse për të mos rënë në nivelin e provokimeve të disa përfaqësuesve të opozitës. Sepse kuptohet se ata i kanë vënë si qëllim vetes së tyre që të mbajnë një situatë artificiale konflikti. Konflikti nuk ekziston mes qytetarëve të Elbasanit, të Tiranës, të Shkodrës, Vlorës etj. Edhe ai konflikt që ishte para zgjedhjeve me hedhjen e votave më 28 qershor dhe mbarimin e këtij procesi quhet i përfunduar. Përsëri do të ketë emocione, do të ketë debate, por këto do të jenë në vitin 2013 kur të jenë zgjedhjet e radhës”, - deklaroi zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Jashtëm, Ilir Meta, nga Elbasani. Ai tha më tej se detyra e mazhorancës është të çojë vendin para në rrugën e integrimit si dhe të zhvillimit ekonomik. Meta tha se vendi është afër procesit të liberalizimit të vizave, si dhe po menaxhon ekonominë e vendit. “Prandaj është detyrë e jona, është detyrë e gjithë mazhorancës që të përqendrohemi te punët që po bëhen dhe që duhet të bëhen në mënyrë që të lehtësojmë sa më shumë problemet dhe vështirësitë që kanë njerëzit, sepse ne nuk mund të themi që me ardhjen e LSI-së në qeveri situata ekonomike në Shqipëri po lulëzon, sepse nuk ka sesi të ndodhë kjo, kur ne shohim se vende të Bashkimit Evropian janë në një rrezik falimentimi. Ne shohim se vende që janë në Bashkimin Evropian detyrohen të shkurtojnë gati një të tretën e administratës publike, një në tre veta, por detyrohen edhe të shkurtojnë pagat dhe pensionet”, - tha më tej Meta, duke shtuar se “ne jemi këtu ku jemi në një proces intensiv integrimi dhe ata që ngrenë këto retorika përpara se të përpiqet të shpërndajnë tym të panevojshëm, duhet të japin kontributin e tyre edhe për liberalizimin e vizave edhe për Pyetësorin e Komisionit Evropian, sepse ai është pyetësor për Shqipërinë, nuk është vetëm për qeverinë, edhe për gjithë proceset e tjera integruese”. Ministri i Jashtëm tha më tej se duhet të hiqet dorë nga kjo retorikë. “Duhet të heqim dorë nga retorika se Shqipëria ka mbetur vendi i fundit. Atyre që përdorin këtë retorikë mund t’ju bëjmë një pyetje; kur ka qenë Shqipëria vendi i parë në rajon? Ka qenë Shqipëria vend i parë në rajon në kohën e Zogut?! Ka qenë në kohën e Haxhi Qamilit, ka qenë në kohën e Enver Hoxhës?! Mendoj se retorika të tilla boshe që nuk sjellin asnjë alternativë janë thjesht spekulime të rëndomta”, - deklaroi Meta. Përpara qytetarëve të Elbasanit, Meta tha më tej se Shqipëria po menaxhon krizën ekonomike që ka prekur globin dhe shtoi se pavarësisht kësaj, qeveria dha shpërblime për qytetarët. “Ka një shqetësim të madh se përse nuk po jepen shpërblimet kaq apo aq lekë, taksat etj. Më mirë të jemi të kursyer në shpërblime sesa të nxjerrim jashtë kontrollit parametrat makroekonomikë të vendit. Gjë që do të thotë se për një arsye të thjeshtë, për të kënaqur njerëzit për pak më shumë, për një natë në fund të vitit të krijojmë disa pasoja, të cilat mund të ndjehen në një plan afatgjatë dhe që mund të dëmtonin dhe besueshmërinë përpara partnerëve ndërkombëtarë dhe sidomos përpara investitorëve të huaj, të cilët kërkojnë një situatë makroekonomike të qëndrueshme”, - deklaroi Meta në Elbasan.