E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vuajtjet Zgjedhore

Vendimi i Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, KZAP, për përsëritjen e zgjedhjeve në Prizren, Gjilan e Lipjan, i ka shokuar disa prej kandidatëve që tash e tre muaj janë në fushatë elektorale.

Ata duket të jenë lodhur nga gara që s’po i shihet fundi.

Kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës konsiderojnë se ky vendim është tendencë për t’ua grabitur fitoren, ndërsa kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës po i gëzohen shansit të tretë.

Madje, në Gjilan dhe Lipjan, kandidatët e PDK’së duken të irrituar ndaj vendimeve të KZAP’së. Qemaj Mustafa e Shukri Buja kanë paralajmëruar të dielën ankesa ndaj vendimeve të Tahir Rrecajt.

Megjithëkëtë, udhëheqësit e të dy partive, PDK’së dhe LDK’së, tashmë i kanë pranuar vendimet e marra.

Nënkryetari i PDK’së, Hajredin Kuçi, në një konferencë për media të dielën, u bëri thirrje vëzhguesve për vigjilencë.

“PDK’ja konsideron se KZAP’ja, si institucion i pavarur, ka marrë një vendim sipas kompetencave kushtetuese dhe ligjore që ka. Partia Demokratike e njeh këtë vendim”, ka thënë Kuçi.

Ngjashëm foli një ditë më parë edhe Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet Lokale, raundi i dytë i garës për kryetarë komunash zhvillohet 30 ditë pas raundit të parë. Por, për “raundin e tretë”, Ligji nuk specifikon asgjë. Kjo është një situatë e paparë deri më tash në Kosovë, prandaj edhe KQZ’ja nuk e di se kur do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme në Prizren, Gjilan e Lipjan.

Anëtari i KQZ’së nga LDK’ja, Florian Dushi, ka sqaruar se vendimi për raundin e ri të zgjedhjeve merret vetëm pas përfundimit të ankesave eventuale të partive në tri institucionet e ankesave.

“KQZ’ja duhet të presë përfundimin e ankesave eventuale të partive në drejtim të KZAP’së, Gjykatës Supreme dhe asaj Kushtetuese. E, pastaj KQZ’ja e thërret Sekretariatin për të shikuar për sa bëhen gati teknikisht për të marrë vendim rreth datës eventuale të mbajtjes së zgjedhjeve të reja”, ka thënë Dushi për Express, të dielën.

Në Gjilan dhe Lipjan kandidatët e PDK’së kanë paralajmëruar ankesa në KZAP, prandaj një vendim i KQZ’së për shpalljen e datës së raundit të radhës nuk duket se do të ndodhë së shpejti, aq më shumë se javën tjetër institucionet do të pushojnë për shkak të festave të fundvitit.

Prizreni pajtohet

Kandidatët për Kryetar të Prizrenit, Ramadan Muja i PDK’së dhe Hanefi Muharremi i LDK’së, tashmë janë pajtuar për ndeshjen e radhës.

“PDK’ja, në nivel lokal dhe qendror, e pranon vendimin e KZAP’së. Jemi të vetëdijshëm se jemi dëmtuar, sepse votat na janë marrë”, ka thënë Ramadan Muja i PDK’së për Express, të dielën.

“Edhe më 2007 kam dalë dy herë i pari dhe ashtu ndodhi edhe në këto dy raunde. Pres edhe një rikonfirmim të mandatit tim kurdo që mbahen ndeshja e radhës”, ka shtuar Muaj.

Ngjashëm shprehet edhe Hanefi Muharremi i LDK’së.

“Me siguri do të kem përparësi, për arsye se nuk do të ketë më vjedhje të votave nga kundërshtarët, të cilët tash janë në panik”, ka deklaruar Muharremi për Express.

Gjilani me dy qëndrime

Situatë tjetër shfaqet në Gjilan.

Kandidati i PDK’së, Qemail Mustafa konteston vendimin e KZAP’së dhe kërkon rishqyrtimin e tij.

“Është vendim i pabazuar, sepse KZAP’ja nuk na ka ftuar në seancë dëgjimore për t’i sjellë kundërargumentet tona. As nuk na ka njoftuar me shkrim për vendimin”, ka thënë Mustafa për Express, i cili ka qenë në përparësi ndaj Fatmir Rexhepit në të dy raundet e zhvilluara të zgjedhjeve.

“Kemi të bëjmë me një vendim totalisht të njëanshëm dhe brenda 24 orësh do t`i drejtohemi KZAP’së me kundërargumente tona”, ka shtuar ai, duke shtuar se nëse KZAP’ja rikonfirmon vendimet e marra, atëherë ai do t’iu drejtohet gjykatave kompetente.

Edhe pse thotë se nuk i frikësohet balotazhit të ri, Mustafa thotë se gjilanasit nuk janë të interesuar të dalin më në zgjedhje.

“Nuk i frikësohem balotazhit me kandidatin e LDK’së. Por LDK’ja në Gjilan e ka përgatitur terrenin për mos me pranu rezultatin e zgjedhjeve nëpërmjet Lutfi Hazirit, i cili vazhdimisht ka thënë se LDK’së i janë vjedhur votat më 2007 dhe më 15 nëntor dhe prapë tash dalin me të njëjtat fraza”, ka thënë Mustafa.

Krejt një diskonim tjetër mbretëron në kampin e LDK’së.

Kandidati i LDK’së, Fatmir Rexhepi e mirëpret vendimin e KZAP’së.

“Vendimi i KZAP’së tregon se, megjithatë, në Kosovë ka demokraci dhe respektohet vota e lirë e qytetarëve”, ka thënë Rexhepi të dielën për Express.

Ankesa deri në Gjykatën Kushtetuese

Njësoj sikur në Gjilan, edhe në Lipjan, kandidati i PDK’së, Shukri Buja konteston vendimin e KZAP’së për përsëritjen e zgjedhjeve në këtë komunë, kurse kandidati i LDK’së përshëndet një vendim të tillë.

“Ky vendim është politik dhe ka interferime edhe nga faktori ndërkombëtar”, ka thënë Buja për Express, të dielën.

Ai paralajmëron ankesa në Gjykatën Supreme dhe Kushtetuese për ligjshmërinë e vendimit të organit që merret me ankesat e partive politike.

“Ne ende nuk kemi marrë vendimin si Kryesi e Degës së PDK’së. Por, sigurisht se ne do t’i drejtohem së pari KZAP’it, pastaj Gjykatës Supreme dhe nëse është e nevojshme, edhe Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar ligjshmërinë e vendimit për rivotim”, ka thënë Buja, përmes telefonit.

Megjithëkëtë, kandidati i LDK’së, Imri Ahmeti ka thënë për Express se e mirëpret vendimin e KZAP’së.

“Ne e mbështesin vendimin e KZAP’së dhe do ta respektojmë. Parregullsitë dhe vjedhja e votave me siguri se nuk do të përsëriten më”, ka thënë Ahmeti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›