Viti 2009 tregoi antivlerat e koalicionit PDK-LDK

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, akademik Nexhat Daci në tubimin me këshilltarët e porsazgjedhur të komunave të Kosovës nga radhët e LDD theksoi se viti që kaloi tregoi haptazi antivlerat e të ashtuquajturit koalicion për shtetit e Kosovës, koalicion PDK-LDK.
“Koalicioni për shtetin u faktua si koalicion i suksesshëm për: krim ekonomik brenda dhe jashtë Kosovës, karantinim të suksesshëm të ekonomisë kosovare dhe qytetarëve të saj, trafikim me njerëz që luftojnë për ekzistencë, duke paguar çmime shumë të larta, përfshirë edhe atë me jetë personale dhe familjare, trafikim të votës së lirë, të vetmes pasuri demokratike dhe shpirtërore të njeriut të varfër, por të ndershëm, e ajo kategori përfshin më shumë se gjysmë e popullatës në Kosovë. Trafikimi u realizua nëpërmjet blerjes, falsifikimit apo edhe gjakosjes së njerëzve të koalicionit për shtetin e Kosovës”.
Me këtë rast kryetari Daci ju drejtua edhe qytetarëve të Kosovës duke vlerësuar se trafikimi i votës në demokraci konsiderohet krim edhe më i madh se ai ekonomik.
“Vota paraqet shpirtin dhe vullnetin e qytetarit, e kur ajo i merret njeriut, ai nuk mbetet më qenie humane. Prandaj qytetarë të dashur, përshëndes vendimin e KZAP-it për rivotim në Gjilan, Prizren dhe Lipjan, sepse është një dritëz që ndoshta shteti do të filloj së funksionuari. Por pyes KZAP-in a u shkel ligji vetëm në këto tri komuna? Perceptimi qytetarë është se trafikim votash pati edhe në Mitrovicë, Viti, Gjakovë, Rahovec, etj”, theksoi Daci.