Qytetarë para PS-së: Jo protestë në ditën e Stalinit!
Një grup qytetarësh të organizuar nga qendra “Kurajo” protestuan para selisë së Partisë Socialiste, duke i bërë thirrje lidershipit të kësaj partie, që të mos protestojë në ditën kur ka lindur Stalini. Sipas kësaj lëvizjeje, PS nuk duhet të mbyllë protestat e saj në të njëjtën ditë në ditëlindjen e Stalinit, duke kërkuar që protesta të shtyhet në një ditë tjetër. Qytetarët thanë se nuk janë kundër protestave, por sipas tyre, mitingu duket si një memoriam për diktatorin më të madh të njerëzimit. Gjatë fjalës se tij, drejtuesi i Qendrës, Hamza Hatika, u shpreh se ftesa për miting, ashtu sikurse edhe dy vite më parë, nuk duhet të ripërsëritet në një tjetër miting in-memorian për diktatorin më të madh të botës, Stalinin. “Duhet ta dinë shqiptarët se gruaja e tij ka vrarë veten, ndërsa vajza e tij është arratisur dhe ka shkruar mjaft libra mbi genoncidin që babai i saj ka kryer mbi popullin rus. Përpara dy vjetësh, Këshilli i Evropës është shprehur qartë me një rezolutë, ku diktatori Hoxha e rendit të dytën Shqipërinë për frymë popullsie pas Stalinit për krime kundër njerëzimit. Gjithashtu, fatura që duhet paguar për këta ish-të dënuar, a nuk është një tjetër detyrim i tepërt për qytetarët shqiptarë, e kur në vitin ‘90 u renditëm të fundit për nivel ekonomik?”, - tha Hatika. Sipas tij, protestat e PS-së po sjellin një imazh të keq për vendin. “EUROSTAT publikoi ditë më parë se vetëm në BE, jetojnë rreth 1 milion shqiptarë, por cili nga këta emigrantë do ta miratonin një miting të dytë in-memorian dedikuar “baba” Stalinit? Vetëm pak ditë më parë komisioneri Olli Rehn ka dorëzuar pyetësorin për liberalizimin e vizave për vendin tonë, por janë 4 ligje, të cilat duan edhe miratimin e opozitës, dhe ata të cilët qajnë për varfërinë dhe të ardhmen e kombit në Evropë, konsumojnë energjitë rrugëve me mitingje dhe kërkesa pa bazë ligjore”, - tha më tej ai. Në të njëjtën deklaratë, kjo lëvizje i bëri thirrje PS-së të shkojë në Parlament dhe të bëjë detyrën e saj. “Shteti duhet të ndahet nga pushteti. Vetëm ligji është ai që sanksionon dhe vendos mbi të gjithë ne, por selia rozë akoma nuk po del nga kolapsi paszgjedhor dhe nuk pranon votën e sovranit dhe vendimet e KQZ-së dhe të Gjykatës së Apelit, ndërkohë që asnjë nga të 2610 komisionerët socialistë nuk është shprehur kundër procesit të numërimit të votës. A shkohet në Evropë me ligje dhe vendime partie? Qendra “Kurajo” nuk është kundër protestave, por ajo ka kërkuar që të mos arkivohet një miting i dytë për Stalinin, por që selia rozë të shtyjë datën e tij”, - thuhet në deklaratën e kësaj lëvizjeje. Nga ana tjetër, zëdhënësja e PS-së e cilësoi si të inskenuar këtë protestë para selisë së PS-së. “Ne nuk kemi protestuar përpara shtëpisë së demokratëve, por përpara Kryeministrisë së Shqipërisë që duhet të mbrojë interesat e shqiptarëve socialistë e demokratë dhe jo të një familjeje në pushtet”, - tha në një konferencë Armela Imeraj, zëdhënëse e PS-së.