Meta: PS, Partia e Spiunëve të Shqipërisë

Kryetari i LSI-së Ilir Meta ka akuzuar sërish kreun e PS-së Edi Rama se po përdor taktika mafioze për të sulmuar rivalët e tij politik. Në një takim me anëtarët e LRI-së së Tiranës, kreu i LSI-së Meta ka theksuar se Rama e ka kthyer Partinë Socialiste në Partinë e Spiunëve të Shqipërisë.
“Edi Rama i cili është regjizori kryesor i montazhit të bërë, i titrave që ka vendosur. Edi Rama ky mjeran çimkash edhe pse ruajti inicialet e saj e ktheu PS-në në partinë e spiunëve të Shqipërisë sepse do ta bazoj luftën e saj politike në përgjime të provokuara, të montuara, në video të trukuara” theksoi Meta.
Ndërkohë duke iu referuar zgjedhjeve lokale të 8 majit kreu i LSI-së Meta theksoi se kjo datë do të shënojë edhe pastrimin e Tiranës nga mafiozët pasi sipas tij është koha e një ndryshimi rrënjësor për disinfektimin e çimkave dhe spiunëve.
“Është koha për të forcuar dhe për të mbrojtur kultin e shtetit të së drejtës, të dinjitetit të cdo qytetarë në këtë vend” theksoi Meta.
Ai gjithashtu theksoi se LSI-ja është e bindur për të mos lejuar intalimin e regjimit të spiunëve në kohën kur Shqipëria ka përjetuar momentin më të rëndësishëm, atë të liberalizimit të vizave.
“Ne rrëzuam regjimin e spiunëve në vitet 90 dhe nuk mund të lejojmë të instalohet ky regjim në këtë kohë ku rinia shqiptare është e lirë të lëvizë pa viza në hapësirën Shengen” theksoi Meta duke shtuar se ai është i bindur që jo vetëm do të fitojë betejën ligjore dhe morale por edhe betejën kundër krimit të organizuar.