E Diel, 1 Nëntor 2026

Gafa, Shqipëria më shumë zgjedhës se banorë

Listat zgjedhore gjithmonë kanë qenë mollë sherri mes partive sa herë afrohen  zgjedhjet e përgjithshme parlamentare ose vendore. Ato kontestohen si para zgjedhjeve, edhe pas tyre. Sipas gazetës Shqip, në shifrat zyrtare vihen re diferenca absurde, të cilat dëshmojnë se në Shqipëri ka më shumë votues sesa banorë.     Lista e zgjedhësve ka 3.1 milionë emra , ndërsa në vend jetojnë 2.8 milionë njerëz.

Pas proçesit të censusit  rezulton se në Shqipëri, në rang Republike ka 2, 831, 741 banorë rezidentë. Ndërkohë , në listat e zgjedhësve për votimet e 8 majit të vitit 2012 janë regjistruar 3 milionë e 166 mijë e 279 votues.

Diferenca është e konsiderueshme.

Sipas rezultateve zyrtare në votime, kanë hedhur fletën në kuti, rreth 1 milion e 600 mijë votues. Diferenca e votuesve me numrin e përgjithshëm të popullsisë së regjistruar në INSTAT është 334538 banorë.

Ndërsa diferenca e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar me numrin e banorëve që kanë hedhur votën është akoma më absurd. Gjysma e popullsisë së Shqipërisë mbeten pa votuar.

Sipas INSTAT, në Tiranë jetojnë gjithsej 763, 634 banorë , ndërkohë që në zgjedhjet e 8 majit kanë votuar 250 mijë qytetarë.

E ndërsa shifrat japin një dëshmi absurde, edhe emigrantët prej kohësh janë lënë jashtë të drejtës së tyre për të zgjedhur.

Erion Veliaj, sekretari për Rininë dhe Emigracionin në  PS, ka deklaruar dje në TCH, se PS do të kërkojë në shtator shtimin e një neni në ligj, i cili parasheh votën e emigratëve në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. Sipas tij, emigratët do të kenë mundësinë të votojnë me anë të postës , pasi t’i tërheqin fletët e votimit në ambasada apo konsullta, e dërgojnë fletën me postë rekomande”, e cila menagjohet nga një kompani e specializuar.

Se sa do të gjejë pritshmëri kërkesa e tyre, do ta tregojnë zhvillimet në shtator.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›