Meta: PS të ndalë dëmtimin e imazhit, të bashkëpunojë për vizat
Partia Socialiste duhet të heqë dorë nga përpjekjet për të dëmtuar imazhin e vendit, duke kontribuar në procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimit në Bashkimin Europian. Kjo ishte thirrja që bëri dje kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, njëkohësisht ministri i Jashtëm, Ilir Meta, gjatë një takimi me anëtarësinë e LSI-së në Berat. Ky takim erdhi në kuadër të fushatës së dialogut që kryetari i LSI-së, Meta dhe deputetët e kësaj partie kanë ndërmarrë nisur edhe zgjedhjet lokale që do të mbahen në vend në fillimin e vitit tjetër. Në fjalën e tij, Meta e konsideroi se bashkëpunimi dhe jo bojkoti, do të ishin në nderin e opozitës në këtë moment të rëndësishëm me të cilin po përballet vendi. “Do të ishte në nderin e lidershipit të Partisë Socialiste që të mos pengonte këtë proces, mos t’i kundërvihej atij, por të vinte që të jepte kontributin e saj real në Parlament. PS duhet të heqë dorë nga përpjekjet për mos dëmtuar imazhin e vendit”, bëri thirrje nga Berati, Ilir Meta. Po kështu, ministri i Jashtëm theksoi se brenda këtij viti, qytetarët e Beratit dhe të gjithë Shqipërisë do të kishin mundësinë të lëviznin lirshëm në vendet e hapësirës Shengen. Sipas tij, qeveria është e angazhuar maksimalisht për të përmbushur të gjithë kërkesat e bëra nga Komisioni Europian për liberalizimin vizave brenda 2010-ës. “Me mbështetjen e faktorit ndërkombëtar ne po arrijmë të përmbushim kriteret për liberalizimin e vizave dhe integrimit drejt Bashkimit Europian siç janë dokumentet e sigurisë, lufta kundër krimit të organizuar, ruajtja dhe menaxhimi i kufijve, kritere këto që tregojnë vullnetin e kësaj qeverie, por dhe vullnetin e LSI-së që brenda këtij viti beratasit dhe të gjithë shqiptarët të lëvizin pa viza”, deklaroi Meta në bashkëbisedimin e tij me anëtarësinë e LSI-së. Sipas zëvendëskryeministrit Ilir Meta nëse PS do të ishte e interesuar për zgjidhjen e çështjes së hapjes së kutive, atëherë ajo duhet ta çojë kërkesën në institucione si Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias. “Hapja e kutive nuk ishte kërkesa reale e opozitës, pasi vendimi i zgjedhjeve është marrë nga gjykata e zgjedhjeve dhe opozita mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, madje po të duan të shkojnë deri te Komisioni i Venecias që na ka ndihmuar për Kushtetutën”, argumentoi ministri i Jashtëm. Po kështu, Meta theksoi se gjithnjë e më tepër po theksohej fakti se mazhoranca aktuale po funksiononte më së miri, nisur edhe nga fakti se përpara vendi ka procese të rëndësishme si liberalizimi i vizave dhe marrja e statusit kandidat në BE. Në lidhje me situatën ekonomike në vend, Meta theksoi se investimet private në vend janë në rritje dhe ky është një ogur i mirë për të ardhmen ekonomike të Shqipërisë.
#