E Diel, 1 Nëntor 2026

Ujërat detare, Kushtetuesja mund të rrëzojë ankimimin e PS-së



Gjykata Kushtetuese mund të rrëzojë kërkesën e Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj, për të shqyrtuar marrëveshjen e ndarjes së ujërave mes Shqipërisë dhe Greqisë. Burime të rezervuara në gjykatë thanë se bazuar në nenin 134 të Kushtetutës, pika f, partitë politike dhe shoqatat mund të legjitimohen si subjekte për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, por vetëm çështje që lidhen me interesa të tyre. Gjykata Kushtetuese në vendimet e saj të datës 10 tetor 2007 dhe 25 korrik 2008 ka interpretuar të drejtën e subjekteve, referuar nenit 134 të Kushtetutës për të vënë në lëvizje gjykatën. Në këtë vendim thuhet se: "interesi duhet të jetë i drejtpërdrejtë, vetjak dhe i argumentuar". Gjashtë partitë politike vështirë se i legjitimohen gjykatës për rrëzimin e marrëveshjes. E vetmja mënyrë e sigurt që kjo marrëveshje të gjykohet në Gjykatën Kushtetuese është 1/5 e deputeteve, 28 deputetë, por kjo gjë do të ndodhë nëse opozita do të ishte në Parlament dhe deputetët do të bënin betimin. Duke mos hyrë në Kuvend, PS duket se do të humbasë shansin për të ankimuar marrëveshjen e ujërave me shtetin grek.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›