E Shtunë, 31 Tetor 2026

UT, çelet programi i teknologjisë së informacionit

Këshilli i Ministrave ka miratuar dje hapjen e programit të ciklit të parë të TIK. Për vitin 2010-2011-të çelen 200 kuota


Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, Këshilli i Ministrave ka vendosur hapjen e programit të studimit Teknologji Informacioni dhe Komunikimi, në Universitetin e Tiranës. Për vitin akademik 2010-2011-të, në këtë program studimi pritet që të fillojnë mësimin rreth 200 studentë. Kjo shifër i përket vetëm universitetit të Tiranës, pasi programe studimi në këtë degë do të ketë edhe në universitet e tjerë të vendit.


Në përfundim të këtij programi studimi lëshohet "Diplomë e nivelit të parë", DNP, në "Teknologji informacioni dhe komunikimi (me drejtim teknologji informacioni)". Programi i studimeve të ciklit të parë realizohet me 180 kredite, dhe kohëzgjatja normale e tij është tre vite akademike.


Vetëm një javë më parë qeveria miratoi kuotat e programeve të studimit në të gjithë universitetet publike të vendit, mes të cilave edhe kuotat për TIK. Sipas këtij vendimi, në të gjithë vendin për vitin akademik 2010-2011 janë miratuar rreth 1000 kuota pranimi në programin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit. Kështu për këtë vit akademik vç 200 kuotave të miratuara për universitetin e Tiranës, janë miratuar edhe 150 kuota në Universitetin e Elbasanit.


Në universitetin e Gjirokastrës kuotat për këtë profil janë ndarë mes dy programeve, 150 kuota për Fizikë dhe Teknologji Informacioni dhe 200 për Teknologji Informacioni. Ndërsa në universitetin e Korçës, gjatë vitit akademik 2010-211, do të nisin studimet në programin e TIK 120 studentë, në universitetin e Vlorës 200 studentë dhe në universitetin e Durrësit 40 studentë.


Gjatë mbledhjes së kaluar të qeverisë, kryeministri Sali Berisha deklaroi se numri i studentëve që do të pranohen në universitetet publike të vendit në këtë vit të ri akademik do të jetë më i lartë se vitin e kaluar, duke theksuar se në të 11 programet e studimit në gjithë universitetet e vendit do të pranohen plotë 23534 studentë. Ai gjithashtu deklaroi se do të mbajë premtimin e tij duke rritur në tre vitet e fundit numrin e pranimeve në universitete në 150 mijë studentë.


E reja, sipas kryeministrit, qëndron në faktin se krahasuar me një vit më parë, këtë vit do të pranohen në universitete 3 herë më shumë studentë në programin e shkencave të informacionit dhe teknologjisë së lartë. Një rritje kjo që, sipas kryeministrit, është e domosdoshme në kuadrin e ndërtimit të Shqipërisë dixhitale.


Provimet me zgjedhje, publikohen rezultatet

Provimet me zgjedhje kanë qenë etapa e fundit e Maturës 2010, ku të gjithë maturantët janë testuar mbi njohuritë e marra në dy lëndë të zgjedhura prej tyre. Sipas Agjencisë së Vlerësimit dhe Arritjeve të nxënësve, notat e fundit të kësaj mature do të bëhen publike nesër, duke respektuar në këtë mënyrë afatin maksimal të përcaktuar në rregulloren e Maturës Shtetërore, në të cilën thuhet se notat duhet të publikohen jo më shumë se 15 ditë nga data e provimit.


Pas publikimit të notave, nxënësit që nuk janë dakord me notën, me të cilën janë vlerësuar, do të kenë rreth një javë kohë për të depozituar pranë shkollave kërkesën për rishqyrtimin e provimit.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›