E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Pakt pas zgjedhjeve me socialistët në PS zyrtare

 

Aristir Lumezi

“Do bëjmë marrëveshje me socialistët që ende janë në PS-në zyrtare pas zgjedhjeve”. Kryetari i LSI-së Ilir Meta gjatë një interviste dje për radio BBC, seksioni shqip në Londër, u shpreh se forca që ai drejton nuk përjashton marrëveshjet e bashkëpunimit me socialistët e vërtetë në PS, pasi Edi Rama sipas tij nuk ka vullnet për bashkëpunim opozitar.
“Ne besojmë se edhe me socialistët që ende janë në PS-në zyrtare, do të bëjmë një marrëveshje pas zgjedhjeve, pasi kuptohet që kreu aktual i PS-së zyrtare nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë vullnet për bashkëpunimin opozitar dhe kanë qenë përgjegjësit kryesorë të degradimit të Kodit Zgjedhor, dhe të situatës që u krijua me grevën e urisë. Ndaj është një nga përgjegjësit kryesorë pas Berishës,- ky është i dyti-, që mban përgjegjësi për çdo cenim të standardit të zgjedhjeve. Mendoj se sistemi proporcional rajonal nuk përbën ndonjë shqetësim përsa i takon asaj që do të ndodhë pas zgjedhjeve, pasi opozita në përgjithësi i ka të gjitha mundësitë që përmes dy koalicioneve të saj të maksimalizojë rezultatin”, tha Meta gjatë intervistës së tij. Duke analizuar situatën mes dy partive kryesore të së majtës, Meta tha se LSI ka vullnet për bashkëpunim brenda të majtës. “Midis lidershipit të PS-së zyrtare dhe socialistëve ne bëjmë një dallim esencial, sepse ne bashkëpunojmë çdo ditë me socialistët. Pak ditë më parë nënshkruam edhe një marrëveshje për bashkëpunim elektoral me Partinë Socialiste të Vërtetë 91 të drejtuar nga kolegu ynë z.Petro Koçi dhe shumë eksponentë të tjerë socialistë ndër vite”, tha Meta. kreu i LSI-së i ka kërkuar drejtuesve të Partisë Demokratike dhe Partisë socialiste të pranojnë të marrin pjesë në debatet elektorale për të qartësuar sa më mirë shqiptarët për votën e 28 qershorit. “Do t’i ftoja të dy drejtuesit e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste të jenë të hapur për debate elektorale në mënyrë që përmes transparencës qytetarët shqiptarë të bëjnë qartë dallimin, midis tre alternativave kryesore në këto zgjedhje”, tha Meta. Sipas tij, “aktualisht nuk ekziston ndonjë debat, sepse po të vini re si z.Berisha, apo për fat të keq edhe z.Rama i shmanget një debati të drejtpërdrejtë, të ballafaqimit të ideve, të vizionit, të ballafaqimit të alternativave, por kryesisht është zgjedhur rruga përmes elementeve të porositur për të degraduar debatin politik”. Duke folur për kalime të anëtarëve të PS-së në LSI dhe anasjelltas, Meta u shpreh se ndryshe nga disa raste sporadike të kalimit të disa anëtarëve të forcës së tij tek PS-ja, shumë socialistë të vërtetë shkojnë tek LSI për arsye të moralit, gjë që mungon tek PS-ja. “Unë besoj se të gjithë ata që vijnë tek LSI-ja, vijnë për arsye morale dhe për arsye bindjesh politike. Ndërsa raste tepër sporadike të porositura nga ana e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, përmes ofertave korruptuese për individë të dëshpëruar që thjesht synojnë të rregullojnë ekonominë e tyre për momentin, jo vetëm nuk përbën ndonjë fenomen, por janë raste krejtësisht të shëmtuara që kanë ndihmuar shumë në rigjallërimin e LSI-së kudo ku ato kanë ndodhur”, tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›