E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha mbyll turin e konsultimeve me qytetarët

TIRANË Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka përfunduar dje turin e konsultimeve me qytetarët për projekt-buxhetin e vitit 2012 në njësinë bashkiake numër 3. Gjatë takimit të djeshëm në njësinë bashkiake numër 3, Basha ka prezantuar para banorëve projektet që mbështeten me fonde nga buxheti i vitit 2012. Basha iu premtoi banorëve të kësaj njësie tri rikualifikime urbane, ndërtimin e rrugës “Vali Popi”, rrugën “Marie Kraja” dhe rikonstruksionin e rrugës “Bajram Çela”. “Për Njësinë Bashkiake nr 3, në projektin që do t’i paraqitet të mërkurën Këshillit Bashkiak, ne kemi parashikuar këto investime: Tri rikualifikime urbane me një sipërfaqe prej afro 17 hektarësh; ndërtimin e kanalit nga rruga ‘Vali Popi’ deri tek rruga ‘Marie Kraja’; rikonstruksionin e rrugës ‘Bajram Çela’; rikonstruksionin e një kopshti; rikonstruksionin e një çerdheje dhe rikonstruksionin e plotë të shkollës ‘Niket Dardani’”, - tha ai. Më tej Basha theksoi se në buxhetin e vitit 2012 është parashikuar edhe fondi i posaçëm për stimulimin e nxënësve me rezultate të shkëlqyera. Kryebashkiaku theksoi se qëllimi i Bashkisë së Tiranës është për t’i treguar të gjithë shoqërisë dhe fëmijëve se suksesi do të shpërblehet. “Për vitin shkollor 2011-2012, ne kemi planifikuar për buxhetin në vitin 2012 një fond prej 64 milionë lekësh për 1730 për nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe 380 nxënës të shkollave të mesme me nota 10. Ky stimul paguhet jo vetëm për të stimuluar më të mirët dhe për t’u dhënë atyre mundësinë të vijojnë me të njëjtin kapacitet që kanë nisur, por për t’i treguar të gjithë shoqërisë dhe fëmijëve të qytetit se suksesi do të shpërblehet nga kjo bashki”, - tha Basha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›