E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: Ekspertët e SHBA thanë se videoja është origjinale

SHKRUAN: Habjon Hasani 09-02-2011 10:12

Tiranë- A është autentike videoja e dorëzuar në prokurori nga Dritan Prifti? Kush e ka bërë ekspertizën e saj dhe në cilën pikë është hetimi, një muaj pas publikimit të kësaj videoje? Përballë hermetizmit të Prokurorisë së Përgjithshme dhe ekspertizës private të avokatëve të Ilir Metës, qëndron sërish i njëjti personazh: Dritan Prifti. Ish-ministri i LSI-së, i rikthyer prej pak orësh në “gjirin” e opozitës, ka qenë sërish dje në organin qendror të akuzës, për të dhënë detaje mbi bisedën e përgjuar prej tij. Ai duket se është thirrur nga prokurorja e çështjes, Anila Leka, pas dëshmisë vullnetare të protagonistit tjetër në video, Ilir Metës. Në të dalë nga Prokuroria e Përgjithshme, Dritan Prifti ka pohuar se prokurorët e çështjes janë të bindur për vërtetësinë e videos. “Erdha në Prokurori, i thirrur nga prokurorët që hetojnë videon ‘Meta’. Isha në dispozicion të tyre për të dhënë detajet mbi këtë hetim. Kam sqaruar lidhur me dëshmitë në Prokurorinë e Tiranës, janë konfirmuar përgjigjet e mia të mëparshme, por edhe përgjigjet e reja, për disa deklarata që i ka bërë vetë Meta”, - ka pohuar Prifti për gazetarët. Sipas tij, prokurorët e çështjes janë të bindur për vërtetësinë e videos dhe një gjë të tillë, sipas tij, e kanë konfirmuar edhe ekspertët. “Kam bindjen që gjërat po shkojnë në drejtim të zbatimit të ligjit. E kuptova që s’kishte asnjë dyshim te prokurorët me vërtetësinë e videos. Edhe pse s’mora një verifikim zyrtar, nga ekspertët është vërtetuar se ajo është e pamanipuluar dhe e pamontuar”, -ka nënvizuar Prifti. Pyetjes se cilët ishin ekspertët që kryen ekspertizën e videos, Prifti preferoi të mos i përgjigjej në kamera, por në një komunikim me “MAPO”-n ai pohoi se ekspertiza ishte kryer nga ekspertët e FBI-së. I kontaktuar dje, pas konferencës për shtyp të ish- zv. kryeministrit Meta, i cili pretendoi montimin e videos, Prifti tha se videoja dhe autenticiteti i saj është verifikuar dhe pranuar nga ekspertë amerikanë, falë një ekzaminimi që i është bërë në Shtetet e Bashkuara. Më parë, ish- ministri ka deklaruar se do të marrë të gjitha përgjegjësitë, morale dhe ligjore, nëse videoja rezulton e montuar apo e trukuar. “Unë mbaj përgjegjësi morale, politike dhe penale, nëse video që kam dorëzuar është e prekur dhe e manipuluar”,-ka thënë Prifti në reagimet e tij publike. Ish- ministri ka sqaruar se seanca e pyetjeve ndaj tij ishte më shumë një “ballafaqim” mes pretendimeve të Ilir Metës para prokurorëve, disa ditë më parë. “Sot kuptova që zoti Meta është paraqitur vetë para prokurorëve dhe ka dhënë disa përgjigje, lidhur me këtë video. Unë kam një marrëveshje me prokurorët dhe sekretet nuk duhet të preken”, -ka shtuar Prifti. Më parë, ish- ministri ka deklaruar në lidhje me përmbajtjen e videos publikisht se në atë video Ilir Meta i ka kërkuar tre favore, duke e detyruar dhe duke i bërë presion që të shkelte ligjin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›