E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Qëllimi ynë, një Shqipëri si gjithë Europa

Të ecim me ritmin e të rinjve të sotëm për një Shqipëri si gjithë Europa. Ky ka qenë mesazhi drejtuar të rinjve në Konventën zgjedhore të LRI-së, i kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Ai u shpreh se është koha të distancohemi nga veprimet e mbrapshta të politikës shqiptare dhe të gjithë aktorët e shoqërisë shqiptare të përqëndrojnë energjitë e tyre në objektivin madhor kombëtar, marrjen e statusit kandidat në BE.

“Mund të kishim ecur më shpejt por jemi marrë më shumë sec duhet me historinë. Të ecim me ritmin e të rinjve të sotëm, por edhe me mendësinë e tyre për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Për shkak të një politike konfliktuale, imazhi i vendit është dëmtuar në mënyrë të padrejtë. Është koha ti përgjigjemi nivelit më të lartë që ka shoqëria jonë, që është meritë e brezit të të rinjve dhe të rejave shqiptarë. Projekti dhe motivi që duhet të bashkojë të gjithë shqiptarët është të bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa. Sot 15 muaj nga dhjetori 2010 kur shqiptarët gëzuan mundësinë për të lëvizur pa viza rezultati është spektakolar, shqiptarët i respektuan detyrat e BE. Shqiptarët dinë jo vetëm të kërkojnë të drejta, por dhe të përmbushin detyrimet. Është koha e klasës politike të marrë përgjegjësitë e saj dhe të mos bëhet më pengesë për marrjen e statusit. Ky vit duhet të jetë viti i mundësisë së realizuar europiane për Shqipërinë dhe shqiptarët, moment që përkon dhe me 100 vjetorin e pavarësisë. Të gjithë aktorët e shoqërisë të kurorëzojnë këtë proces që duhet të ishte kurorëzuar më parë. Sot në Parlament u miratua ligji për Gjykatën Administrative që duhet të ishte bërë më parë, nuk kemi kohë për të humbur, të ecim më shpejt. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të bëjë një politikë konstruktive të qartë” tha ai.
 

Më tej zoti. Meta ka vlerësuar rolin e e të rinjve të LRI-së, duke e cilësuar forumin më të fuqishëm të të rinjve në vend. Në këtë kontekst ai shprehi bindjen se ashtu sic kanë ecur me ritme të shpejta, do të vazhdojnë dhe më tej, për të shtrirë përfaqësimet e tyre edhe në Parlamentin e 2013-tës.
 

“LRI është ajo që u jep mundësinë të rinjve për të qenë vetëvetja , të shprehin talentin e tyre. Sot LRI është forumi jo vetëm më i fuqishëm, por dhe më i dashur i rinisë shqiptare. Nga sot LRI do të jetë akoma e më e fortë, kalon në një stad të ri, ka jo vetëm një trashëgimi të fuqishme njerëzore, intelektuale, por nga sot me ekipin e ri drejtues që do ta vendosni vetë bëhet gati për sfida akoma më të mëdha, ju keni zgjedhur jo vetëm një slogan por një kredo. Shqipëria është në drejtimin e duhur, por jo në ritmin e duhur. Duhet të ecim më shpejt, duhet të ecim me ritmin e 18 dhe 20 vjecarëve të sotëm. Kjo është sfida e të gjithë shqiptarëve, të ecim me ritmin e atyre që lindën pas dhjetorit të 90-tës. Duhet të jemi krenarë për stërgjyshërit tanë që i dhanë Shqipërisë pavarësinë, krenarë për gjyshërit që na dhanë clirimin, dhe krenarë me ata të rinj dhe të reja që përmbysën regjimin komunist. Besoj se ju do të përfaqësoheni edhe në Parlamentin e ardhshëm. Nuk ka asnjë komb tjetër që ka fituar më shumë se shqiptarët nga erërat e integrimeve dhe rrëzimi i murit të Berlinit” përfundoi Meta.
 

Më pas të gjithë delegatët e LRI u drejtuan për të hedhur votën e tyre për zgjedhjen e kreut të ri të këtij forumi, një zgjedhje mes dy kandidatëve, Endrit Brahimllari dhe Klejdi Mehmetaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›