E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Qeveria e re me një program në funksion të reformave, që kërkon BE-ja nga Shqipëria”

Kreu i LSI-së  shprehet për “Deutsche Welle”, se bashkëqeverisja me PD do ta forcojë identitetin e LSI-së
 

TIRANE - Kryetari Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta e shikon bashkëpunimin me PD në qeverinë e re të pas zgjedhjeve të 28 qershorit, si zgjidhjen e vetme pozitive për vendin. Vendimin për bashkëqeverisje me PD-ën, ai e konsideron në një intervistë për “Deutsche Ëelle”, si “rezultat i një ndërgjegjësimi dhe pjekurie politike, për të parë të gjithë elementët e përbashkët mes PD dhe LSI, në interes të një qeverisje funksionale”.
Duke folur për garancinë e kësaj bashkëqeverisje, meta bën të ditur më tej se, “do të jetë një program në funksion të reformave, që kërkon BE nga Shqipëria”.

Zoti Meta, vendimi për një bashkëqeverisje PD - LSI erdhi më shumë si nevojë e numrave të mandateve, apo si ngjashmëri programesh mes dy partive?
Mendoj se ky vendim është imponuar si zgjidhja e vetme, për të garantuar një qeverisje të qëndrueshme, në funksion të reformave të integrimit evropian dhe njëkohësisht, për një opozitë të fortë dhe të qëndrueshme,si ajo e PS-së. Ky vendim erdhi si rezultat i një ndërgjegjësimi dhe pjekurie politike, për të parë të gjithë elementët e përbashkët mes PD dhe LSI, në interes të një qeverisje funksionale, më përfaqësuese, e angazhuar për të plotësuar të gjitha detyrimet që dalin nga kërkesa e Shqipërisë, për tu anëtarësuar në BE.

Kritikë brenda dhe jashtë partisë tuaj kanë folur për një "nxitim të pajustifikuar", për t`i thënë “po” ftesës së Partisë Demokratike. Të paktën nga ajo që u pa publikisht, gjithçka u mbyll për rreth 100 minuta. Si e komentoni këtë?
Vendimi ka qenë shumë i qartë dhe shumë i shpejtë, për arsye se nuk ka pasur zgjidhje të tjera. Dy ishin ato: ose bashkëpunim mes LSI dhe PS, që shtynte vendin drejt krizës, sepse nuk jepte dot një formulë qeverisjeje të qëndrueshme, ose bashkëpunim LSI me PD, që jep një mesazh qetësues, stabilizues e perspektiv për të ardhmen e vendit. Për më tepër që ne vumë re inskenime për tensionim, që synonin për të nxjerrë situatën e rendit jashtë kontrollit, thjesht për arsye të ngushta politike. Ata që kundërshtojnë për procedura nuk kanë qenë dhe janë për këtë zgjidhje, por ata nuk japin asnjë zgjidhje tjetër, veç krizës.

Në një bashkëqeverisje me një forcë të djathtë, deri dje kundërshtare me ju, a shikoni ndonjë rrezik për identitetin e LSI-së? Të paktën ju e keni quajtur vazhdimisht partinë tuaj si "forca e vërtetë e majtë"...
Nuk besoj se bashkëqeverisja me PD do të zbehë rolin e partisë LSI. Përkundrazi, mendoj se ajo do ta forcojë identitetin e saj. Në rast se dje kjo forcë është paragjykuar se bën çdo gjë në funksion të PS-së, sot është e qartë se, LSI çdo vendim e merr në funksion të së ardhmes së vendit dhe programit të saj për integrimin evropian të vendit. Absolutisht, kjo do të jetë një bashkëjetesë e qëndrueshme, një bashkëjetesë konstruktive. Duke sjellë një kulturë te re politike në vend por, dhe në qeverisjen e vendit.

Zoti Meta, a ka ndonjë kusht të pa negociueshëm për LSI-në, në ndërtimin e qeverisë së re?
Ajo që ne kemi kërkuar si garanci kryesore nga PD, është angazhimi i saj që në zgjedhjet e ardhshme LSI të ketë të gjitha të drejtat e saj, të barabarta për të qenë pjesë e një procesi të ndershëm. Dhe jo siç ndodhi këtë radhë, kur u bë një kod për goditjen dhe asgjësimin e saj. Këtë garanci ne e kemi marrë. Për çështje të tjera që po diskutojmë ne ndajmë të njëjta shqetësime dhe angazhime. Besoj, se do të jetë një program në funksion të reformave, që kërkon BE nga Shqipëria.

Cilat janë prioritetet e LSI në një qeverisje me PD-në?
Prioritetet tona kanë të bëjnë më një qeverisje të qëndrueshme e reformatore. E cila çon përpara me vendosmëri dhe me efikasitet axhendën integruese të vendit tonë. Një prioritet i veçantë yni është rritja e punësimit, nëpërmjet politikave zhvilluese dhe stimuluese financiare.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›