E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Akuzat për Kodin, spekulime të LSI-së

Partia Socialiste thyen heshtjen duke iu përgjigjur akuzave të LSI-së dhe disa partive të tjera politike. Një prej bashkëhartuesve të tekstit të Kodit Zgjedhor, specialist për ligjet zgjedhore në këtë parti, Damian Gjiknuri, hodhi poshtë pretendimet e akuzat e ish-aleates së PS-së, duke theksuar se ka pasur spekulime apo keqinterpretime në lidhje disa aspekte të draftit të Kodit Zgjedhor, sidomos ato që kanë të bëjnë me numërimin e votës, komisionet apo formulat e ndarjes së mandateve midis subjekteve zgjedhore. Nisur nga kjo, Gjiknuri ka marrë përsipër që të shpjegojë nga ana teknike se si do të bëhet numërimi i votës, formula e ndarjes, ndarja e mandateve midis subjekteve zgjedhore etj.

Ai u shpreh se për sa i përket numërimit të votave, nuk ka asgjë të vërtetë në lidhje me pretendimin se votat i numëron PD dhe PS. Gjiknuri vuri në dukje se numërimi do të vazhdojë të jetë i përqendruar në nivel Zone Administrimi Zgjedhor, që do të thotë se për çdo qark do të ketë disa të tilla në varësi të numrit të zgjedhësve. Grupet e numërimit do të jenë nga 5-10 për çdo ZAZ, ndërsa grupet do të përbëhen nga 4 persona dhe ku vetëm 2 i përkasin PD-PS-së dhe ku dy të tjerë do të caktohen me short nga përfaqësuesit e partive të mazhorancës dhe opozitës. “Pra, në rreth 60-70 ZAZ që do të jenë në rang vendi, do të hidhet shorti për çdonjërën prej tyre se cila parti a majtë apo e djathtë, do të përfaqësohet në grupet e numërimit”, - tha Gjiknuri. Ai shpjegoi më tej se çdo tavolinë numërimi do të jetë e mbikëqyrur nga një kamera me rezolucion të lartë e cila në kohë reale do të transmetojë procesin e numërimit dhe fletën votimit në ekran, si dhe do ta regjistrojë atë në media elektronike për çdo hetim të mëtejshëm. Ndërsa në lidhje funksionimin e komisioneve, Gjiknuri vuri në dukje se zvogëlimi i numrit të komisionerëve ka qenë rekomandimi bazë i raportit të OSBE/ODHIR-it për t'u adresuar nga një reformë e ardhshme zgjedhore. “E njëjta logjike qëndron edhe për KQZ-në, numri 7 i së cilës ka qenë i parashikuar edhe në Kushtetutë deri në vitin 2006. “Të mos harrojmë që KQZ-ja është një organ i përhershëm për administrimin e zgjedhjeve dhe jo thjesht një forum për përfaqësimin politik të partive”, - theksoi ai. Gjiknuri dha shpjegime edhe për formulën e ndarjes së mandateve. Ai tha se janë përdorur dy formula: formula D'hondt dhe Sainte Lague. D’hondt është formula më e përhapur e llogaritjes që përdoret në vendet që aplikojnë sistemin tonë elektoral. Ndërsa formula tjetër, Sainte Lague, është formula më afër proporcionalitetit, duke siguruar përfaqësim edhe për partitë e vogla brenda koalicioneve dhe duke korrigjuar avantazhin që jep D'hondt për partitë e mëdha.

Rama: Nuk e duam Shqipërinë e Berishës

Kryetari i Partisë Socialiste u ka dhënë përgjigje akuzave të Kryeministrit dy ditë më parë në qytetin e Lezhës. Gjatë një takimi me anëtarë socialiste në Peshkopi, Rama ka përdorur historinë e një djali një Peshkopia që do të operohet, por është në pritje të mjekut anestezist nga Tirana. "Nga kjo sallë, dua t'i them Sali Berishës, se një djalë është duke luftuar me vdekjen në spitalin e Peshkopisë, në pritje të mjekut anestezist nga Tirana. Kjo është Shqipëria e Sali Berishës. Kjo është një Shqipëri që ne nuk e duam. Duam një Shqipëri tjetër, ne duam një Shqipëri ku për çdo shqiptar e shqiptare të ketë spitale, mjek, që analizat dhe ilaçet të jenë të garantuara, të ketë shpresë dhe jetë". Duke folur për “Dialogun me Shqipërinë”, Rama u shpreh se është një mësim i madh për të kuptuar sa e vështirë është jeta e njerëzve në gjithë vendin dhe mbi të gjitha, për të kuptuar se sa e gabuar ka qenë dhe është politika e vjetër e së shkuarës, në një marrëdhënie jashtëzakonisht të gabuar, me premtime dhe gënjeshtra, të cilat duhet të marrin fund për t'i hapur rrugë një marrëdhënieje të re, për të cilën nevojitet një bashkim i madh i shqiptarëve përtej kufijve të partive politike”, - deklaroi ai. Më tej, gjatë fjalës me anëtarët e PS-së në këtë qytet, Rama foli gjerë e gjatë për politikën e re që synon PS-ja, programin qeverisës dhe sfidat e kësaj partie kur të vijë në pushtet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›