E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Rasti duhet hetuar deri në fund

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kërkoi dje hetimin e plotë të ngjarjes së rëndë të ndodhur në lagjen “11 Janari” në Gjirokastër. Ai tha se përgjegjësit duhet të dalin përpara drejtësisë dhe të japin llogari. “Është një rast që duhet hetuar deri në fund, pa u ndalur dhe duhet zbardhur për të nxjerrë fajtorët dhe për të bërë që të mos përsëritet më”, - u shpreh Rama. Kreu i PS-së shkoi në vendngjarje i shoqëruar nga deputeti socialist, Gramoz Ruçi, nga ku pa nga afër situatën e rëndë. Rama bisedoi me banorët e prekur si dhe u internua në lidhje me akomodimin e tyre. Ndërkohë që kryetari i PS-së, Rama, interesohej për gjendjen e banorëve, kërkimet vazhdonin për gjetjen e tre banorëve të pallatit, i cili u rrëzua.

Banorët e prekur strehohen në hotel

Banorët e prekur dje nga tragjedia në lagjen “11 Janari” në Gjirokastër, janë akomoduar pranë një hoteli, fare pranë pallatit të tyre, i cili u shemb dje duke shkaktuar kaos dhe të humbur. Shtabi i emergjencës menjëherë ka vepruar për akomodimin e më se 20 familjeve, të cilat banonin këtë pallat të ndërtuar në fillim të viteve ‘90. Ndërkohë, familjeve u është siguruar edhe ushqimi si dhe është bërë e mundur që një pjesë e tyre të marrin edhe veshje. Kryeministri Sali Berisha, i cili ndodhej në vendngjarje, tha se banorët e prekur do të marrin të gjithë ndihmën e nevojshme për të kapërcyer këtë situatë. “Po ndërmerren masa për sistemimin e familjarëve që kanë humbur strehimin dhe po vazhdohet me insistim për të gjetur rrugën më shpëtuese të mundshme për të ndihmuar ata të cilët janë nën rrënoja”, - tha Berisha, i cili shtoi se të plagosurit po marrin të gjithë ndihmën e nevojshme mjekësore në spitalin e Gjirokastrës. Shtabi i emergjencës ka menaxhuar edhe gjendjen e kërkim-shpëtimit të tre banorëve që mendohej se ishin poshtë gërmadhave të pallatit të shembur. Një pjesë e banorëve të pallatit kanë qëndruar pranë forcave speciale që bënin të mundur kërkim-shpëtimin e banorëve. Një pjesë e tyre, të cilët kishin ende apartamentet në anën e pallatit, që nuk u shemb, nxirrnin edhe sendet me vlerë të cilat nuk ishin dëmtuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›